Sekuestrohen mbi 38 kilogramë bimë kanabis në Mirditë, shpallen në kërkim 3 persona
Policia e Mirditës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Green harvest”, për goditjen e një rasti të tentativës për shitje të lëndës narkotike Cannabis Sativa.
Sipas njoftimit të Policisë, u sekuestruan pesë thasë me lëndë të dyshuar Cannabis Sativa (në total 38.8 kilogramë) dhe dy automjete, ndërsa janë identifikuar dhe shpallur në kërkim tre shtetas.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet që kishin siguruar për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar punën dhe mbrëmjen e djeshme kanë ndërhyrë në aksin rrugor “Shpal – Blinisht”, duke iu bërë shenjë për ndalim, tre shtetasve që dyshohet se po transportonin lëndën narkotike, me dy automjete.
Policia njofton se sapo kanë konstatuar punonjësit e Policisë, tre shtetasit kanë braktisur automjetet dhe duke përfituar nga errësira dhe nga terreni malor, kanë mundur të largohen.
“Gjatë kontrollit në 2 automjetet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 5 thasë më lëndë të dyshuar nakotike Cannabis Staiva, me peshë totale 38.8 kilogramë”, thuhet në njoftim.
Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. R., 40 vjeç, D. R., 35 vjeç, banues në Krujë (vëllezër) dhe M. Sh., 27 vjeç, banues në Fushë Arrëz, Pukë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas siguronin lëndë narkotike, me qëllim ndarjen dhe shitjen në sasi të vogla në qytet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
