Koçiu: Mbi 8 000 pacientë shërbim dentar falas nga janari deri në gusht
Klinika Stomatologjike Universitare në Tiranë ofron shërbime dentare me standarde evropiane për të gjithë qytetarët, fëmijët dhe grupet në nevojë. Shërbimet profilaktike, mjekuese dhe mikrokirurgjikale janë falas për gjithë personat që paraqiten pranë KSU Tiranë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh sot se “vetëm në 8 muajt e parë të vitit, mbi 8,200 pacientë kanë përfituar shërbim dentar falas”.
“Risia më e fundit është vendosja në dispozicion e CBCT skanerit dentar 3D, i cili garanton diagnostikim me saktësi të lartë. Për herë të parë një pajisje e tillë ofrohet për të gjithë qytetarët pranë një strukture publike”, tha Koçiu.
Mjeku stomatolog pranë Klinikës Stomatologjikë Universitare, Renato Isufi tha se në këtë klinikë ofrohen shërbime të kirurgjisë, terapisë dhe pedodontisë.
“Nga janari i vitit 2025 e deri në gusht 2025, në klinikën stomatologjike është ofruar shërbim për afro 8200 pacientë. Kohët e fundit është bërë e mundur futja e implanteve dentare dhe skaneri dentar për një shërbim më të mirë dhe cilësor”, tha ai.
Investimi në aparatura moderne, ka shtuar gamën e shërbimeve të reja që ofrohen, duke vendosur një standard të ri në shërbimin stomatologjik publik pranë Klinikës Stomatologjike Universitare Tiranë.
