“5D” dhe “Inceneratori” pa fajtorë real/ Zhulali: Veliaj dhe klani i tij po i kushtojnë Tiranës miliona, qytetarët paguajnë ende mbi 80 mijë euro
Në një deklaratë të fortë në “Ora e Betit” në “Ora News”, Ilda Zhulali tha se dosjet e inceneratorit dhe “5D” janë copëtuar për të mbrojtur Erion Veliajn, ndërkohë që qytetarët e Tiranës vazhdojnë të mbajnë mbi supe një kosto marramendëse prej mbi 80 mijë eurosh në ditë.
" Mendoj që ne do të vazhdojmë ta shikojmë këtë sagën e Veliajt sesi ai dhe gjithë klani i tij i bashkëpunëtorëve që në një farë mënyre i kërcënonin edhe pushtetin e Edi Ramës sepse ishin perojektuar si pasardhës, pra Erioni si pasardhës por të gjithë të tjerët bashkëpunëtorët që do të shkojnë të gjithë njëri pas tjetrit përpara dyerve të gjykatës, por gjithmonë duke synuar atë dënimin minimal dhe jo për atë çfarë ka bërë në fakt Erion Veliaj për gropat e mëdha të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës e për dëmin financiar që i ka shkaktuar gjithë taksapaguesve të Tiranës.
Ajo që presin qytetarët është në radhë të parë për projektet si ai i incxeneratorit të Tiranës. Një dëm kolosal, miliona euro që i ka shkaktuar taksa paguesve të Tiranës. Erion Veliaj dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë meritojnë një dënim. Nuk shikojmë asnjë lëvizje nga ana e gjyqësorit, nga ana e Prokurorisë së Posaçme apo të Gjykatës, apo për skemën '5D'. Ju e keni parë si këto të dyja dosjet janë copëtuar në mënyrë të tillë që faji të mbetet tek aktorë të dytë ose të tretë të këtyre skemave.
Ndërkohë që është gjetur mënyra sesi të hiqet politikisht qafe Erion Veliaj, e njëjta skemë që u bë edhe me Arben Ahmetaj, që shkoi veç tek pasuria, por kjo i vjen përshtat vetëm Edi Ramës sepse në thelb të dyja skemat, "5D" dhe "Inceneratori" mbeten pa fajtorët realë dhe me një dëm shumë të madh për të cilin ne vazhdojmë çdo ditë para. Vazhojmë të paguajmë dhe sot që flasim mbi 80 mijë euro", u shpreh Zhulali.
