VIDEO/ Të gjitha detajet e seancës së parë të legjislaturës së re! Anëtarësimi në BE, prioritet i Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali theksoi sot se Kuvendi është gati për të mirëpritur 140 deputetët e Legjislaturës XI.

Spiropali ndau një video me disa detaje nga Kuvendi që pritet të nisë më 12 shtator.

Kuvendi është gati për të mirëpritur 140 deputetët e Legjislaturës XI, prej të cilëve 84 të zgjedhur për herë të parë, që i bashkohen një kapitulli të ri e domethënës të historisë sonë parlamentare, ku të gjitha energjitë e trupës së legjislativit do të investohen në ritmin e përshpejtuar të proceseve integruese të vendit në Bashkimin Europian, shkroi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

Një kapitull i ri veprimtarisë parlamentare do të nisë me Legjislaturën e 11-të të Kuvendit, ku 140 deputetë të zgjedhur nga qytetarët do të betohen mbi Kushtetutën e Shqipërisë për përgjegjësitë përfaqësuese dhe ligjvënëse, thuhet në video.

Prioritet kryesor mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kuvendi, garant i shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së demokracisë luan rol thelbësor në përmbushjen e kërkesave për integrim përmes miratimit të reformave, përmirësimit të kuadrit ligjor, forcimit të institucioneve dhe mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve.

Përfaqësimi në Kuvend gjatë kësaj legjislature pasqyron diversitetin e shoqërisë shqiptare.

Mosha mesatare e deputetëve është 47,5 vjeç, duke kombinuar përvojën me energjinë e re. 35% e deputetëve janë gra.

Të zgjedhurit vijnë nga profesione të ndryshme: 32 nga drejtësia, 31 nga ekonomia dhe të tjerë u përkasin fushave si mjekësia, shkencat natyrore, sociale, politike, po ashtu edhe nga inxhinieria, arti e sipërmarrja. 25 deputetë mbajnë gradën “Doktor i shkencave” dhe 5 deputetë mbajnë titullin “Profesor”.

Për një fillim sa më efikase sesionit. Administrata ka përgatitur materiale orientuese dhe sesione informuese. Zyra pritëse e deputetëve ofron asistencë për njohjen e institucionit dhe detyrave të parlamentarit.

Kuvendi angazhohet për transparencë, efikasitet dhe një proces gjithëpërfshirës, ku vendimmarrja në interes të qytetarit, forcimi i besimit dhe ndërgjegjësimit mbi rolin thelbësor të Kuvendit në procesin e demokratizimit dhe integrimit janë prioritet përmes nismave për parlamentin e hapur dhe edukimin qytetar.