Kapri: Veliaj nuk i shpëton burgut, karriera politike e tij ka marrë fund
I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, deklaroi se procesi ndaj Erion Veliajt është një hap i rëndësishëm i drejtësisë, duke theksuar se pavarësisht se karriera e tij politike ka marrë fund, ai vazhdon të ushtrojë ndikim si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
" Mendoj se dosja është serioze. Fakti që njeriu më i dytë më i pushtetshëm në Shqipëri rrezikon të bëj minimumi 10 vite burg, kjo është si hap i parë shumë i rëndësishëm.
Sigurisht janë edhe dosjet e tjera ku ai ka një rol dhe kemi nevojë sërish për transparencë ndaj tij nga prokuroria sidomos për çështjen e inceneratorit të Tiranës, por edhe me këtë dosjen është një bast i madh i SPAK-ut i cili deri tani ka mirë funksionuar.
Gjykata i ka dhënë të drejtë përsa i përket qëndrimit në burg të tij, se mos harrojmë betejën e madhe që ka bërë Veliaj për të dalë nga burgu, pra për të ndryshuar masën e sigurisë. Ia ka dalë drejtësia që ta mbaj në burg dhe tani do të shohim proçesin.
Por, pavarësisht kësaj, ne e dimë që karriera politike e Erion Veliajt tashmë ka marrë fund, por kjo nuk do të thotë që ka marrë fund edhe ndikimi i tij, përderisa ai duket që ende ka një forcë që e mban veten ligjërisht si kryetar i bashkisë dhe ende nuk po shkarkohet dhe të hapet rruga për një proçes gjyqësor", u shpreh Kapri.
