Nepal, ushtria patrullon kryeqytetin! Përpiqet të kontrollojë situatën e paqëndrueshme
Pas disa ditësh trazira në Nepal, për shkak të protestave të të rinjve ushtria është vendosur në kreyqytet për të shmangur çdo përshkallëzim të dhunës. Organizatorët thonë se janë tubime paqësore dhe fajësojnë për incidentet persona të dyshuar të infiltruar me qëllim.
Dorëheqja e kryeministrit të Nepalit Sharma Oli nuk ka mjaftuar për të qetësuar protestuesit në vend. Ushtria e Nepalit është vendosur në rrugët e kryeqytetit Kathmandu, ndërsa vendi po përballet me trazirat më të rënda të dekadave të fundit.
Pas disa ditësh protestash masive kundër korrupsionit dhe nepotizmit, situata ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë dhunë, zjarrvënie dhe vandalizëm.
Kryeministri Sharma Oli dha dorëheqjen të martën, pas djegies së ndërtesave qeveritare, sulmit ndaj parlamentit dhe dëmtimit te banesave të politikanëve të lartë. Gjykata e Lartë njoftoi se të gjitha seancat gjyqësore janë shtyrë pa afat, pasi zjarri ka shkatërruar dokumente, servera dhe salla gjyqi.
Ndërkohë që kryeqyteti dukej i qetë të mërkurën në mëngjes, tymi mbi ndërtesat e djegura dhe automjetet e shkatërruara vijon ende.
Ushtria njoftoi ndalim-qarkullimi deri të enjten në mëngjes dhe paralajmëroi për masa ndëshkuese ndaj çdo personi të përfshirë në akte dhune.
Deri tani, 27 persona janë arrestuar për përfshirje në trazira dhe janë sekuestruar 31 armë zjarri. Gjatë protestave të dhunshme në dy ditët e para të demostratave 21 persona humbën jetën.
Protestat janë organizuar kryesisht nga te rinj, grupime të gjeneratës "Z", të cilët thonë se lëvizja e tyre është paqësore dhe është "rrëmbyer nga individë oportunistë" që kanë shkaktuar dhunën.
Shkëndija që ndezi trazirat ishte përpjekja e qeverisë për të ndaluar 26 platforma të rrjeteve sociale, përfshirë WhatsApp, Facebook dhe Instagram.
Ndërkohë që vendi mbetet në krizë politike pas dorëheqjes së kryeministrit, nuk ka ende një alternativë të qartë udhëheqëse.

