Zelensky për dronët në Poloni: Po hyjmë në një nivel të ri përshkallëzimi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore të Polonisë përbën një “shkallë të re përshkallëzimi”.

Në një deklaratë publike, ai tha se “të paktën tetë dronë” kishin synuar territorin polak, duke e cilësuar këtë si një “precedent tepër të rrezikshëm për kontinentin evropian”.

“Sot ndodhi një hap i ri drejt përshkallëzimit – dronët ‘Shahed’, të prodhuar nga Irani dhe të përdorur nga Rusia, u panë duke fluturuar në hapësirën ajrore të Polonisë, një shtet anëtar i NATO-s.

Nuk bëhej fjalë për një rast të izoluar – ishin të paktën tetë dronë të dërguar drejt Polonisë”, deklaroi Zelensky, duke bërë thirrje që Rusia të përballet me pasoja të qarta.

Ai shtoi gjithashtu se “zvarritja në vendosjen e sanksioneve ka zgjatur tepër dhe çdo vonesë në ndëshkimin e Rusisë dhe partnerëve të saj vetëm sa shton egërsinë e sulmeve të tyre”.

Ndërkohë, gjatë natës, Rusia ka lëshuar rreth 455 raketa dhe dronë në drejtim të Ukrainës, duke goditur 15 rajone të ndryshme.

Si pasojë e këtyre sulmeve, një person humbi jetën në rajonin Zhytomyr, ndërsa në Khmelnitsky, një punishte qepjeje u godit, duke lënë tre të plagosur.