RIGË – Lituania: Rusia po zgjeron qëllimisht agresionin
Presidenti lituanez, Gitanas Nausëda ka paralajmëruar për një kërcënim në rritje nga Rusia – pas ndërhyrjes së dronëve rusë në hapësirën ajrore polake.
“Rusia po e zgjeron qëllimisht agresionin e saj, duke paraqitur një kërcënim gjithnjë e në rritje për Evropën”, shkroi Nausëda në X.
“Dronët mbi territorin polak janë një tjetër provë, ashtu si edhe retorika kërcënuese ndaj krahut lindor të NATO-s. Bota duhet ta ndalë agresorin – të shkatërrojë ekonominë e tij të luftës dhe aftësinë e tij për të shkatërruar dhe vrarë”, shkroi ai.
Ministri i Jashtëm Kęstutis Budrys përdori një ton të ngjashëm në X.
“Shkeljet e përsëritura dhe të pamatura të hapësirës ajrore të NATO-s nga Rusia përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e njerëzve dhe infrastrukturën kritike”, tha ai.
“Mbrojtja ajrore përgjatë kufirit të vendeve në aleancën ushtarake perëndimore duhet të forcohet pa vonesë”, tha Budrys.
Dronët gjithashtu kanë hyrë vazhdimisht në hapësirën ajrore lituaneze që nga fillimi i luftës ruse kundër Ukrainës.
Ashtu si Polonia dhe dy shtetet e tjera baltike, Estonia dhe Letonia – edhe Lituania është vendosur në gatishmëri – si rezultat i manovrave ushtarake që po zhvillohen aktualisht në Bjellorusinë fqinje.

