KE pezullon pagesat për Izraelin për shkak të veprimeve në Gaza

Komisioni Evropian ka planifikuar të pezullojë të gjitha pagesat ndaj Izraelit për shkak të veprimeve të tij në Rripin e Gazës.

“Ne do ta ndalim mbështetjen tonë për Izraelin, dhe do të propozojmë sanksione ndaj ministrave ekstremistë dhe kolonëve të dhunshëm”, tha presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen në një fjalim në Parlamentin Evropian, në Strasburg.

Presidentja e KE-së propozoi gjithashtu pezullim të pjesshëm të Marrëveshjes së Asociimit, – e cila prej vitit 2000 ka shërbyer si bazë për marrëdhëniet politike dhe ekonomike – mes dy palëve.

Fushata ushtarake e Izraelit në Gaza, me synimin e deklaruar për të shkatërruar grupin islamist palestinez Hamas, u shkaktua nga sulmi terrorist i 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1 200 persona dhe u rrëmbyen mbi 250 pengje.

Që atëherë, sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi në Gaza, mbi 64 500 palestinezë janë vrarë në zonën bregdetare të mbipopulluar dhe shumica e ndërtesave janë shkatërruar.