Luka Modriç, 40 vjeç me Kombëtaren

Luka Modriç ka hyrë prej kohësh në panteonin e futbollistëve më të mëdhenj të historisë, por mbrëmja e fundit para ditëlindjes së tij të 40-të e vërtetoi edhe një herë. Në Zagreb, për kualifikueset e Botërorit 2026, ai udhëhoqi Kroacinë drejt një fitoreje të thellë 4-0 ndaj Malit të Zi.

Titullar përkrah mesfushorit të Interit, Petar Sucic, Modriç u përshëndet me duartrokitje të fuqishme kur doli nga fusha në minutën e 81-të, për t’i lënë vend Moros të Bolognas.

Me këtë sukses, Kroacia barazoi në krye të grupit me Republikën Çeke dhe ka një ndeshje më pak për të luajtur. Në intervistën për “Sportmediaset”, Modriç vlerësoi lart talentin e Sucic, që shumë e shohin si pasardhësin e tij:

“Është lojtar i fortë dhe djalë i mirë. Nuk është rastësi që ka firmosur për një klub të madh si Interi. Do ta njihni më mirë dhe do t’i shihni cilësitë e tij. Shpresoj të përmirësohet gjithmonë, edhe pse së shpejti do të jemi kundërshtarë në derbi”, tha mes të qeshurash veterani kroat.

Për Modriç, ky ishte edhe një moment historik personal: arriti në 190 ndeshje me fanellën e kombëtares, vetëm një ditë para se të festojë 40-vjetorin. Trajneri Zlatko Dalic u shpreh se kapiteni i tij është shembulli më i mirë që mosha është thjesht numër:

“Sa më shumë kalojnë vitet, aq më i mirë bëhet. Stili i tij i lojës është i jashtëzakonshëm dhe e udhëheq kombëtaren me shumë ambicie”.

Një lajm i mirë edhe për Massimiliano Allegrin te Juventusi, i cili e di se, edhe pse jo për të gjitha 90 minutat, mund të mbështetet ende te një mesfushor që ka hyrë në historinë e futbollit botëror.