Zyrtare/ Fernando Santos largohet nga drejtimi i Azerbajxhanit

Federata e Futbollit të Azerbajxhanit ka konfirmuar sot ndarjen me trajnerin portugez, Fernando Santos, i cili nuk arriti t’i rezistonte presionit pas rezultateve të dobëta në stolin e kombëtares.

Tekniku 70-vjeçar, i emëruar në qershor 2024, largohet pas një bilanci zhgënjyes: 0 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje në 11 ndeshje.

Humbja e fundit, një 0-5 kundër Islandës në kualifikueset e Botërorit 2026, i dha fund aventurës së tij në Baku.

Ditët e fundit, Santos ishte përfshirë edhe në polemika, sidomos pas një konference për shtypin, ku iu kërkua dorëheqja nga një gazetar vendas.

Trajneri u përgjigj asokohe: “Kam kontratë”, por tashmë ka rënë dakord me federatën për ndërprerjen e bashkëpunimit.

Në mesazhin e lamtumirës, ish-trajneri i Portugalisë falënderoi drejtuesit e federatës dhe popullin azer për mikpritjen:

“Që nga fillimi më është kërkuar të riformuloja bazat e futbollit në vend, nga infrastruktura deri te formimi i lojtarëve, me synimin për të krijuar një skuadër konkurruese për EURO 2028.

Paraqita një projekt të plotë dhe shpresoj që të shërbejë si bazë për zhvillimin e talenteve të rinj në të ardhmen. Uroj kombëtares dhe tifozëve vetëm suksese.”

Me largimin e tij, Azerbajxhani mbetet pa trajner në një moment delikat, ndërsa federata pritet të nisë menjëherë kërkimin për një pasues që do të udhëheqë ekipin drejt objektivave të ardhshme.