DE BIAZI KTHEHET NË PANKINË? Azerbajxhani në kërkim të një trajneri
Xhani De Biazi pritet të rikthehet sërish si trajneri. Është kombëtarja e Azerbajxhanit që e kërkon ti japë edhe një herë drejtimin pas humbjes së rëndë ndaj Islandës
Fernando Santos nuk është më trajner i kombëtares së Azerbajxhanit. Pas javësh tensioni dhe kritikash të forta nga tifozët e media, Federata e Futbollit të vendit konfirmoi ndërprerjen me marrëveshje të kontratës me teknikun portugez.
Vendimi u mor pas humbjes së rëndë 5-0 ndaj Islandës në kualifikueset e Botërorit 2026, ndeshje pas së cilës Santos kishte refuzuar idenë e dorëheqjes duke theksuar se “kishte kontratë”, deklaratë që ndezi edhe më shumë pakënaqësinë.
Bilanci i tij në pankinën azere ishte krejtësisht negativ: i emëruar në qershor 2024, ai drejtoi 11 ndeshje, duke regjistruar 9 humbje dhe vetëm 2 barazime, pa asnjë fitore. Në më pak se katër muaj, aventura e Santos në Baku përfundoi si një eksperiencë e dështuar.
Në një mesazh lamtumire të publikuar nga gazeta portugeze A Bola, trajneri 70-vjeçar falënderoi Federatën për respektin dhe popullin azer për mikpritjen. Ai kujtoi projektin e paraqitur në shtator 2024 për riorganizimin teknik dhe infrastrukturor të futbollit në vend, duke shpresuar që të shërbejë për të ndërtuar një bazë të re për Euro 2028.
Ndërkohë, federata është në kërkim të pasuesit. Sipas Sky Sport, emri më i përfolur është ai i italianit Gianni De Biasi, i cili ka drejtuar Azerbajxhanin nga korriku 2020 deri në nëntor 2023. Me përvojën dhe qasjen pragmatiste, De Biasi shihet si kandidatura kryesore për të rikthyer stabilitetin dhe për të ndërtuar një fazë të re zhvillimi për futbollin azere.

