UEFA “SYTË” TE SERBI-ANGLI/ Federata serbe e Futbollit thirrje tifozëve para Anglisë: Çdo gabim na kushton, jemi në monitorim
Federata Serbe u kërkon tifozëve të shmangin çdo incident të mundshëm në sfidën me Anglinë, pasi vendi është ende nën monitorim të rreptë të UEFA-s dhe rrezikon ndëshkime të tjera. Kapiteni i Anglisë, paralajmëroi se ata do të reagojnë mbi bazë të protokollit për çdo rast
Serbia u ka bërë thirrje tifozëve “të japin një imazh në botë që do ta bënte vendin krenarë” ndërsa përgatitet të presë Anglinë në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset në Botërorin 2026, në grupin K, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Të paktën 15% e stadiumit “Rajko Mitic” në Beograd do të mbyllet për tifozët vendas si ndëshkim i FIFA-s për thirrjet raciste në një ndeshje ndaj Andorrës.
Një deklaratë e Federatës Serbe të Futbollit thuhet se ajo është gjobitur me mbi 600 mijë paund nga FIFA dhe UEFA gjatë pesë viteve të fundit.
Sanksionet kanë ardhur për “artikuj të ndaluar, fyerje dhe diskriminim në tribuna”, thuhej në deklaratë.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës serbe paralajmëroi tifozët serbë në programin e ndeshjes para përballjes me Anglinë se çdo shkelje mund t’i fusë në telashe të tjera.
“Ne jemi ende nën monitorim të veçantë nga UEFA,” shkroi ai.
“Çdo reagim i papërshtatshëm, fyerje apo incident mund të na kushtojë shtrenjtë në rrugëtimin drejt SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë, përfshirë mundësinë që të luajmë një ndeshje vendimtare me Shqipërinë me dyer të mbyllura. Le të jetë mbështetja jonë burim force, jo rrezik për ekipin kombëtar.” tha zyrtari i Federatës Serbe të Futbollit para sfidës me Anglinë.
Kapiteni i “Tre Luanëve”, Harry Kane, konfirmoi se skuadra ka diskutuar protokollet e UEFA-s për rastet e abuzimeve raciste.
Ai tha se fokusi mbetet te ndeshja, por ekipi është i përgatitur të reagojë sipas rregullave nëse situata përsëritet.
“Jemi të përgatitur, kemi diskutuar dhe nëse [abuzime raciste] ndodhin, do të jemi gati të bëjmë atë që është e nevojshme” paralajmëroi ai.
Shumica e dënimeve të fundit të Serbisë lidhen me Kosovën.
Tifozët serbë, zakonisht të udhëhequr nga grupet ultras, këndojnë “Kosova është zemra e Serbisë”, ose një tribunë thërret “Kosovo” dhe tjetra “Serbia”. Ka edhe thirrje fyese ndaj shqiptarëve, kroatëve dhe myslimanëve boshnjakë.
Për këto sjelle të tifozëve në stadiume, Federata Serbe e Futbollit është dënuar të paktën 6 herë nga UEFA në tre vitet e fundit, mes të cilave edhe për një tentativë për të djegur flamurin shqiptar

