"Shqipëria i përket BE-së"/ Gonzato: Mbyllim të gjithë grup-kapitujt këtë vit! Hasani: Ligj i ri për rrjetin diplomatik
Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh sot se Shqipëria i takon Bashkimit Evropian dhe ky moment është i vërtetë dhe i padiktuar nga aspekte të tjera.
Nga punimet e konferencës diplomatike “Diplo 2025”, mbajtur sot në Tiranë, ambasadori Gonzato tha se Shqipëria është në zemër të procesit të anëtarësimit në BE.
“Të jesh përfaqësues i BE-së këtu në Shqipëri është një përvojë fantastike. E ndjej veten si pjesë të kësaj përpjekjeje. Mesazhi që dua të përçoj është i vërtetë, real dhe këtë ua them edhe të rinjve në Shqipëri sepse janë ata që mbeten të zhgënjyer dhe e shohin të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë. U them, ky është momenti ku të rinjtë, të cilët janë më krijues, me aftësitë e duhura që i nevojiten Shqipërisë janë ata që mund të bëjnë të pamundurën që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i BE-së”, tha Gonzato.
Sipas Gonzatos, ky moment është një mundësi unike për BE-në, nga njëra anë sepse gjatë viteve të fundit BE është përqendruar te vetja, duke qenë më egocentrik përballë sfidave të mëdha.
“Të kuptosh në fakt që modeli ynë po kërcënohet brenda Evropës, na bëri më të ndërgjegjshëm, më shumë se më parë në mënyrë që ne të bëjmë të pamundurën që i gjithë kontinenti që ndan këtë projekt, ka këto vlera të përbashkëta. Të bëhesh pjesë e BE-së nuk do të thotë që bëhesh pjesë e një projekti ekonomik apo tregu të vetëm, por është një përpjekje politike që bazohet te vlerat që ne i ndajmë me njëri-tjetrin. Verifikimi i realitetit do ndodhë edhe kur Shqipëria të bëhet anëtare”, vijoi Gonzato.
“Për herë të parë në Evropë ekziston rreziku i euroskepticizmit, jo te ata që nuk besojnë te projekti, por te ata që nuk po bëjnë të pamundurën për ato ideale, vlera që baballarët e BE-së kanë pasur. Nuk bëhet fjalë vetëm për zgjerimin e BE-së, por për plotësimin e BE-së. Nuk mund të mohohet fakti që Shqipëria i takon BE-së, Evropës natyrisht që po”, theksoi ambasadori Gonzato, ndërsa shtoi se vendi ynë ka avantazhe sa i përket demokracisë, rritjes ekonomike, por edhe mënyrës se si Shqipëria ka kontribuuar për përforcimin e politikës së jashtme në forume të ndryshme evropiane.
Sipas Gonzatos, të kesh një popullatë si e Shqipërisë që është entuziaste për integrimin në BE është një tregues që edhe qytetarët ecin me të njëjtin ritëm.
“Ecuria ka qenë fantastike dhe Shqipëria do bëhet pjesë e BE-së. Mendoj që ne do i mbyllim të gjithë grup-kapituj sivjet. Ka ngurrim e ankth në disa shtete të BE-së që shohin se krimi i organizuar po destabilizon jetët e tyre. Shqipëria po godet këto rrjete kriminale ndërkombëtare dhe ky është një sinjal i qartë dhe i fortë që kemi të bëjmë me një Shqipëri të re”, cilësoi Gonzato.
“Një sfidë tjetër që unë shoh, është theksi gjithnjë e më i madh te puna e bërë. Nuk mjafton që ti të miratosh vetëm ligje, duhet të tregosh që këto ligje janë vënë në zbatim në mënyrë të saktë. Duhet një administratë publike profesionale, me njerëz që punojnë dhe rriten në karrierë në bazë të meritokracisë. Por, zbatimi varet dhe nga aktorë të tjerë”, pohoi Gonzato.
MINISTRI HASANI
Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, Igli Hasani në fjalën e tij në konferencën e ambasadorëve shqiptarë nëpër botë “Diplo 2025” Hasani tha se, ditët e ardhshme do shkojë në Kuvend pr/ligji i ri për transformimin e rrjetit diplomatik.
Sipas ministrit, ky do të jetë hapi i parë i një pakete reformash me qëllim përafrimin e shërbimit të jashtëm me realitetin e kohës.
“Rritja e rolit të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare është shoqëruar me zgjerimin e rrjetit diplomatik. Vetëm gjatë një viti janë hapur 7 përfaqësi të reja duke çuar numrin në 60. Po punojmë që konsullatat dhe ambasadat tona të shndërrohen në qendra shërbimi për qytetarët dhe bizneset, por dhe motorë të zhvillimit ekonomik dhe të promovimit të kulturës sonë. Po modernizojmë shërbimet konsullore, më të shpejta, më transparente, më të aksesueshme nga kushdo dhe po kthejmë diplomacinë ekonomike në një instrument konkret për investime dhe teknologji të reja. Ky transformim do të përshpejtohet me ligjin e ri që do i paraqitet Kuvendit ditët e ardhshme. Vetëm hapi i parë i një pakete reformash për të përafruar shërbimin tonë të jashtëm me realitetet e kohës”, deklaroi Hasani.
Ministri u shpreh se, Shqipëria ka zgjedhur qartë rrugën e saj.
“Ne i qëndrojmë krah aleatëve tanë euroatlantikë, si anëtarë të NATO-s dhe si vend të që ecën krah për krah me BE-në dhe SHBA-të. Ne mbrojmë paqen, ligjin dhe lirinë Ky nuk është një pozicion i momentit, por një mision historik që garanton sigurinë dhe mirëqenien e kombit shqiptar”, tha Hasani.
“Integrimi europian është busulla jonë strategjike. Që nga tetori i vitit të kaluar kemi hapur katër grup-kapituj, dhe brenda pak javëve të ardhshme, do të hapim dhe dy të fundit, tjetrin javën e ardhshme”, theksoi ministri.
“Ky ritëm impresionues është dëshmi e seriozitetit të Shqipërisë, për të ecur përpara me besueshmëri. Objektivi ynë është i qartë, përfundimi i negociatave teknike në vitin 2027 dhe anëtarësimi brenda kësaj dekade. Por integrimin ne nuk e shohim si një proces teknik, ai është një projekt kombëtar që prek gjyqësorin, prek ekonominë, kulturën politike dhe vetë mënyrën së si funksionon shteti ynë”, u shpreh Hasani.
Ministri nënvizoi se, “ky proces po jep rezultate të prekshme, qasje në planin e rritjes së Bashkimit Evropian, rritje të besimit investitorëve dhe më shumë mundësi për qytetarët shqiptarë”. Ai iu referua presidentit të Këshillit Evropian Antonio Kosta, i cili tha se zgjerimi është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik në sigurinë evropiane. Shqipëria është pjesë e këtij investimi, jo vetëm si përfituese, por si kontribuuese në siguri, stabilitet dhe inovacion.
E padyshim, shtoi Hasani, “siguria është themeli mbi të cilin ndërtojmë integrimin euroatlantik. Si anëtare e NATO-s Shqipëria është kontribuuese e sigurisë kolektive, me pjesëmarrje në misionet ndërkombëtare, me mbështetjen konkrete për Ukrainën, dhe me angazhimin për të organizuar samitin e NATO-s në vitin 2027, kemi treguar se jemi partner të besueshëm dhe të gatshëm për të marrë përgjegjësi”.

Në të njëjtën kohë, vijoi Hasani, “modernizimi i Forcave të Armatosura dhe investimet në infrastrukturën strategjike e bëjnë Shqipërinë një aleat më të rëndësishëm për aleancën”.
“Ky kontribut në NATO shkon paralelisht me përpjekjet tona për stabilitet në Ballkanin Perëndimor, sepse një rajon i sigurt është garanci për një Evropë të sigurt. E Ballkani Perëndimor është pasqyra, ku Shqipëria provon seriozitetin e saj. Ne kemi qenë dhe do të mbetemi faktor stabiliteti, por më shumë se kaq, Shqipëria është sot shembulli i asaj që rajoni mund të arrijë kur zgjedh integrimin dhe bashkëpunimin”, tha Hasani.
Duke folur për Kosovën, Hasani u shpreh se, “mbështetja jonë për Kosovën është e palëkundur. Një Kosovë e integruar është themel për paqen dhe zhvillimin në rajon. Shqipëria do të mbetet avokat i pandalur për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe për të ardhmen e saj euroatlantike”.
“E njësoj, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës, janë forcë për paqe dhe përparim. Shqipëria është ura që e lidh këtë forcë me vizionin e një Ballkani të integruar evropian”, tha Hasani.
Ministri theksoi gjithashtu se diaspora është një pasuri e jashtëzakonshme.
“Përmes forcimit, lidhjeve me të ne jo vetëm do të rrisim ndikimin e Shqipërisë në botë, por japim përgjigje edhe ndaj sfidave demografike që prekin gjithë Evropën”, tha Hasani.


