Rekord historik në aeroportin “Adem Jashari”, mbi gjysmë milion pasagjerë vetëm në gusht
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shënuar një arritje historike gjatë muajit gusht të këtij viti, duke pritur mbi 500 mijë pasagjerë. Ky është numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë dhe konsiderohet si një prej sukseseve më të mëdha të aeroportit ndërkombëtar që nga funksionalizimi i tij.
Gara ka thënë se është hera e parë që aeroporti ka shënuar gjysmë milion udhëtarësh brenda vetëm një muaji. Sipas saj, destinacionet më të frekuentuara vazhdojnë të jenë Zvicra dhe Gjermania, të cilat prinë me numrin më të madh të udhëtarëve që udhëtojnë përmes këtij aeroporti.
Gara ka thënë se më 28 shtator me kompaninë EasyJet, udhëtarët do të mund të udhëtojnë në Lion të Francës dhe nga data 1 tetor do të ketë fluturime edhe për në Arabinë Saudite në Jeddah. Ndërkaq, këtë vit kanë filluar fluturimet edhe për Helsinki dhe Paris me GP Aviation dhe ASA Airlines.
Përkundër rritjes së fluksit të udhëtarëve, operimet në aeroport kanë funksionuar pa pengesa falë planifikimeve të mirorganizuara në infrastrukturë dhe në rritjen e stafit.
Aeroporti ka pasur vit të jashtëzakonshëm, me rritje të ndjeshme të numrit të udhëtarëve dhe një objektiv ambicioz për të arritur 4.5 milionë udhëtarë deri në fund të vitit 2025. Viti 2024 arriti në përfundimin e tij me mbi 4 milionë udhëtarë ose 19.20% më shumë se 2023, ndërsa numri i fluturimeve ishte 16.14% më shumë se 2023. E njëjta tendencë e këtij zhvillimi ka vazhduar edhe gjatë 2025.
