Vuçiç nga KIna: Aleanca ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kroaci, kundër Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se e shfrytëzoi këtë ngjarje për të parë teknologji dhe pajisje që mund t’i shërbejnë ushtrisë serbe. Gjatë vizitës së tij në Pekin për paradën ushtarake të Kinës, Vuçiç u ndal te  bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke akuzuar se janë kundër Serbisë. 

“Nuk është rastësi që Prishtina, Zagrebi dhe Tirana formuan një aleancë ushtarake. Dhe, ata nuk e bënë atë për shkak të Austrisë, Hungarisë apo Sllovenisë, por për shkak të Serbisë. Ata e bënë kundër Serbisë”, deklaroi Vuçiç për gazetarët në Pekin, duke shtuar se vendi i tij nuk synon të sulmojë askënd, por të ruajë integritetin territorial.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, më 18 mars në Tiranë, nënshkruan një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Megjithatë, autoritetet kroate dhe shqiptare theksuan se kjo iniciativë nuk nënkupton krijimin e një aleance ushtarake.

Duke folur për armatimet kineze, presidenti serb pretendoi se Serbia nuk është e interesuar për raketa balistike apo hipersonike, por vlerësoi avionët dhe helikopterët modernë të Kinës. Ai paralajmëroi një paradë ushtarake në Serbi më 20 shtator.