"Vr*sja e Enver Bajraktarit në Lipjan" - Policia bastis shtëpinë e Top Kolshit, ja çfarë u zbulua
Një muaj pas vrasjes së Enver Bajraktarit në fshatin Baicë të Lipjanit, Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në shtëpinë e Top Kolshit, i cili dyshohet për kryerjen e krimit dhe groposjen e viktimës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, bastisja është kryer më 3 shtator 2025, me urdhëresë të Gjykatës. Gjatë kontrollit, është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmë automatike.
“VRASJE E RËNDË / ARMËMBAJTJE PA LEJE – Lipjan / 03.08.2025 – 12:05. Pas hetimeve të vazhdueshme lidhur me rastin, më 03.09.2025 bazuar në urdhëresën e gjykatës është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit ku është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmë automatike”, thuhet në raportin e Policisë.
Top Kolshi ndodhet në paraburgim që nga 13 gushti, me vendim të Gjykatës, e cila ka theksuar se ekziston rreziku i arratisjes, fshehjes së provave dhe ndikimit në dëshmitarë apo bashkëpunëtorë të mundshëm.
Sipas njoftimit të Gjykatës, Kolshi nuk e ka kryer vrasjen i vetëm, por në bashkëkryerje me persona ende të paidentifikuar. Vrasja është përshkruar si e kryer në mënyrë dinake dhe mizore.
Si ndodhi vrasja sipas hetimeve:
Më 3 gusht 2025, rreth orës 16:00, viktima Enver Bajraktari kishte dalë nga shtëpia për të dërguar gjedhën në kullosë. Aty, sipas dyshimeve, ai u godit me mjete të forta në kokë e trup, më pas u ngulfat dhe trupi i tij u tërhoq zvarrë përmes një arre me misër. Pasi u hoqën disa rrënjë misri, u gërmua një gropë mbi 1 metër e thellë ku u gropos trupi i pajetë, u vendosën dërrasa sipër dhe u rivendosën rrënjët e misrit për të fshehur gjurmët.
Gjykata ka marrë parasysh edhe të kaluarën kriminale të Kolshit, i cili ka dy aktgjykime të formës së prerë, njëri prej të cilëve lidhet me një rast ku viktimë besohet se ka qenë po i ndjeri Bajraktari.
Në një njoftim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës thuhet se pas arrestimit, i dyshuari ka pranuar kryerjen e veprës penale:
“Pas ndalimit në polici dhe dhënies së deklaratës, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale. Procedurat ligjore ndaj tij janë duke vazhduar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e bashkëkryerësve të tjerë dhe zbardhjen e plotë të rastit.

