Gonzato: Mbrojtja e mjedisit, pjesë e rrugës së Shqipërisë në BE
Një tjetër grup fëmijësh vizitoi Parkun e Ekonomisë Qarkulluese në Fushë-Krujë për të parë nga afër se si riciklimi dhe ripërdorimi mund të formësojnë jetën e përditshme.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato u takua me ta teksa bënin pyetje, merrnin pjesë në kuize, punonin mbi raste studimore dhe eksploronin dyqanin e sendeve të dorës së dytë në park.
Është mbresëlënëse të shohësh sa natyrshëm e kuptojnë fëmijët rëndësinë e kujdesit për mjedisin dhe rolin që ai luan në ndërtimin e një të ardhmeje më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme, theksoi ai.
“Përmes këtyre aktiviteteve, fëmijët mundën ta shihnin me sytë e tyre se riciklimi nuk është vetëm një ide për të ardhmen, por tashmë një realitet këtu në Recycling Albania, një park i ndërtuar tërësisht nga materiale të ricikluara, nga kashtë e baltë te dritare të ripërdorura, dru i hedhur dhe gurë lumi. Është një hapësirë që dëshmon se gjithçka mund të ketë një jetë të dytë, nëse e shohim ndryshe”, u shpreh Gonzato.
Përmes projekteve si BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytetet e Jetueshme (EU4CELC), BE-ja po ndihmon Shqipërinë të ecë drejt një mënyre jetese më të gjelbër.
T’ua mësosh këto ide fëmijëve në një fazë të hershme do të thotë të rritësh qytetarë të përgjegjshëm për të nesërmen.
Mbrojtja e mjedisit dhe nxitja e praktikave të qëndrueshme janë pjesë e rrugës së integrimit të Shqipërisë në BE dhe ndërkohë që mbetet ende shumë për t’u bërë, Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështesë këtë rrugëtim.

