Hamataj: Sot vota nuk blihet më me lekë e miell, por me tendera e koncesione

Në emisionin “Ora e Betit”, avokati Ermal Hamataj tha se pakënaqësitë politike duhet të shprehen nëpërmjet votës dhe jo duke u ankuar vazhdimisht në media, duke theksuar se përgjegjësia i takon qytetarëve në momentin e zgjedhjeve.

“E para njëherë, ne duhet të reshtim me atë refrenin që sa herë dalim në një studio dhe themi se ‘këtu ka njerëz të pakënaqur, këtu ka njerëz që ankohen’. Punë e madhe, njerëz të tillë do të ketë gjithmonë.

Lind pyetja: si e shprehin pakënaqësinë këta njerëz? Nëse unë jam i pakënaqur me rendin politik, e shpreh pakënaqësinë duke votuar diçka të ndryshme.

Pse duhet të bëjmë avokatinë e një gjëje që në fakt duket se është e kundërta? Në momentin që ke një qeveri në mandatin e katërt, nuk mund të qajmë hallin e njerëzve studio më studio.

A kemi thënë se jemi demokraci? A kemi thënë se kemi pasur alternativa për të zgjedhur?

Nuk është e vërtetë që të gjithë kanë qenë të lirë për të votuar.

Deri para disa vitesh vota tjetërsohej në kuptimin e parë të tregtisë: më jep lekë, të jap votë; më jep miell, të jap votë.

Ka avancuar kjo. Sot, edhe nëse vota trafikohet, trafikohet nëpërmjet influencave. Nuk ka dalë më njeri sot të shkojë nëpër fshatra për të shpërndarë lekë, por kanë dalë, kanë dhënë tendera, kontrata publike e koncesione.

Këta njerëz që i kanë marrë këto, kanë lënë të kënaqur ata që i ndjekin. Unë jam i mendimit që të mos ua qajmë hallin njerëzve në media.

Ata, në fund të 2 ose 4 viteve, t’ua qajnë hallin vetes kur shkojnë të votojnë”, u shpreh Hamataj.