Reshjet e shiut nuk pengojnë punën në doganat shqiptare

Shqipëria përjetoi ditën e sotme një stuhi të konsiderueshme e reshje shiu të dendura, çka solli trafik të rënduar dhe shtrime në spitale.

Pavarësisht këtyre vështirësive, pikat doganore në vendin tonë kanë funksionuar normalisht pa pengesa.

Sipas një njoftimi të Doganës Shqiptare, në Sarandë, Qafë – Botë, Kapshticë, e pjesërisht në Morinë, pati reshje të dendura shiu por nuk solli probleme në funksionimin normal të punës.

Më problematike është paraqitur situata në Qafë – Thanë, Gorricë, Tre Urat, Hani i Hotit, Muriqan dhe Qafë – Prush, pasi ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, por puna doganore ka vijuar pa ndalim për shkak të gjeneratorëve.

Sakaq, në Vlorë situata u shfaq pak më kritike për shkak të përmbytjeve, por sërish puna doganore vijon pa ndalim.

“Situata në pikat doganore pas reshjeve dhe stuhisë

Strukturat doganore në të gjithë vendin kanë raportuar mbi gjendjen aktuale:

Sarandë, Qafë-Botë, Kapshticë, Morinë (pjesërisht) – reshje të dendura, por pa probleme në funksionimin normal të punës.
Qafë-Thanë, Gorricë, Tre Urat, Hani i Hotit, Muriqan, Qafë-Prush – ndërprerje të energjisë, por puna ka vijuar normalisht falë përdorimit të gjeneratorëve.

Vlorë – pati probleme për shkak të përmbytjeve në terren, por proceset doganore nuk u penguan.
Të gjitha pikat kufitare janë funksionale dhe qytetarëve po u shërbehet pa pengesa.“, njofton Dogana Shqiptare.

Kujtojmë se i gjithë vendi u përfshi nga stuhia këtë të shtunë, me erëra të forta dhe reshje të dendura në disa qarqe. Në Tiranë, Durrës, Vlorë e Lezhë, u shënuan dëme materiale, probleme në qarkullim, rrugë të përmbytura e mungesë energjie. Sakaq, gazetarja Glidona Daci raportoi se të paktën 23 persona kanë shkuar për ndihmë mjekësore, e 4 prej tyre janë të shtruar.