Ministria e Mbojtjes: Trupat e FA-së vijojnë aksionin nga toka për shuarjen e zjarreve

Mbi 180 trupa të forcave të Armatosura janë angazhuar në terren për përballjen me situatën e zjarreve.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se trupat e FA janë në terren përballë flakëve, duke operuar nga toka në Poliçan dhe në bashkinë Finiq, në fshatrat Krongj, Livinë dhe Krane.

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 14 vijojnë të jenë aktive dhe po ndiqen në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 68 automjete zjarrfikëse dhe 601 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 183 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA.

Gjithashtu morën pjesë edhe 2 avionë Canadair nga Kroacia dhe Italia. Në dispozicion sot janë edhe dy helikopterët Black Hawk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake kanë operuar sot nga Baza e Kuçovës drejt Gramshit.