VIDEO/ Zjarri masiv në fshatin Sojnik, ndërhyjnë helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes

Zjarr masiv në fshatin Sojnik, përpjekjet për shuarjen vazhdojnë – Ndërhyjnë edhe helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes

Zjarri i rënë dje në fshatin Sojnik, në njësinë administrative Kukur të bashkisë Gramsh, ka marrë përmasa të mëdha dhe vijon të jetë aktiv edhe sot.

Gazetari Shkëlzen Henkoja raporton se, pavarësisht përpjekjeve intensive gjatë pasdites së djeshme dhe gjatë gjithë natës nga shërbimi zjarrfikës, punonjësit e pyjeve dhe ndihma e banorëve të zonës, flakët nuk janë neutralizuar.

Era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen në terren dhe duke rritur rrezikun për zonat përreth me pyje dhe bimësi të dendur.

Për shkak të situatës së rënduar, sot në mëngjes janë angazhuar edhe helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes për të ndihmuar në fikjen nga ajri dhe për të shmangur përhapjen më tej të zjarrit.

Autoritetet mbeten në gatishmëri të lartë, ndërsa pritet përmirësimi i kushteve atmosferike për të lehtësuar operacionin e shuarjes së flakëve.