DOKUMETET+HARTAT/ Zbulohet një tjetër linjë vjedhjeje e Idajet Ismailajt me Bankers, në skenë një tjetër “hajdut”. Pse SPAK nuk administron dosjen?
Disa oligarkë të ndërtimit, naftës, krimeve mjedisore, korrupsionit dhe pastrimit të parave, rezulton se kanë operuar me disa linja në skemën e vjedhjes së dhjetëra milionë euro me kompaninë Bankers, përmes farurimeve fiktive, me qëllim fryrjen e shpenzimeve, shmangien e taksave nga Bankers dhe pastrimin e parave.
Ashtu si Behar Çukaj i Bolv Oil, edhe Idajet Ismailaj i Albstar ka operuar me disa kompani, me të cilat ka përlarë miliona euro nga Bankers, me fatura fiktive.

Dokumentet tregojnë se vetëm gjatë vitit 2011, kompania Albstar e Idajet Ismailajt ka përfituar 22 milionë euro nga Bankers në funksion të skemës së fryrjes së shpenzimeve dhe zhvatjes së pasurisë nëntokësore të Shqipërisë.

Skema ka vijuar për vite me radhë, por kjo nuk është ‘dora’ e vetme, me të cilën Ismailaj ka përfituar para nga kompania e nxjerrjes së naftës Bankers, në formë të kundraligjshme.
Në shtator të vitit 2016, Idajet Ismailaj me familjarët e tij themelon kompaninë e ndërtimit Reas 16, me emër të ndryshuar në IR shpk.
Këtë kompani, Idajet Ismailaj e kontrollote fillimisht përmes kompanisë Finman dhe më pas Albstar, që rezulton edhe kontraktuesi kryesor i Bankers në skemën e vjedhjes me TVSH, faturimeve fiktive, fryrjes së shpenzimeve, devijimit të fitimit dhe shmangies së taksave.

Nga verifikimi i librave të shitjes dhe blerjes së kompanisë IR shpk del në pah një skemë e frikshme evazioni fiskal dhe pastrimi parash, përmes transaksioneve me kompani fantazmë, të cilat kanë përfituar dhjetëra milionë euro nga Bankers me fatura fiktive.
Transaksionet fiktive arrijnë deri në 6 milionë euro në vit, para të cilat më pas kanë kaluar nëpër komapani të tjera, duke u pastruar më pas në ndërtim nga qendra e Tiranës deri në Butrint.

Pjesë e skemës rezulton edhe biznesmeni Genci Likoskëndaj, me një kartel kompanish, me të cilat ka përfituar miliona euro para publike me tendera të dyshimtë. Evidencat e vizatojnë Genci Likoskëndajn si një ‘hajdut me çizme’ dhe subjekt potencial i veprimit të SPAK-ut.
Për bëmat konkrete të tij do flasim në ditët në vijim, ndërsa faktet tregojnë se kemi të bëjmë me një organizatë të mirëfilltë kriminale, goditja e të cilës duhet të ishte prioriteti kryesor i SPAK, pasi gropa financiare nga zhvatja e pasurisë nëntokësore të Shqipërisë llogaritet mbi 5 miliardë euro.
Ku kanë përfunduar paratë?
Është një pyetje që vetëm SPAK ka treguar seriozitet dhe vullnet për t’i dhënë përgjigje. Me gjithë profesionalizimin e treguar nga prokurori i Fierit Elion Mustafaj dhe drejtori i Hetimit Tatimor Anton Martini, organizata kriminale Bankers, me një fuqi të madhe korruptuese, ka nisur lëvizjet për të kapur gjyqtarët, me qëllim sakatimin e dosjes.

Por edhe sikur gjykatat t’i rezistojnë parave dhe lidhjeve korruptive të Bankers, dosja duhet të kalojë në kompetencë të SPAK si grup i strukturuar kriminal, për të nisur edhe një hetim pasuror, për rikuperimin e dëmit, aq sa është e mundur.
Janë qindra milionë euro që kanë kaluar në llogaritë e një karteli kompanish. Rruga që kanë ndjekur paratë është lehtësisht e gjurmueshme.
‘Pika e vockël’ e Kumbaros, korrupsion dhe pastrim parash
Kompania Albstar, e cila ka vjedhur dhjetëra milionë euro me Bankers, kontrollon një kartel kompanish me veprimtari ndërtimore, naftës dhe gazit, kazino, hidrocentrale etj.
Në vitin 2021, kompania Albstar, e cila ka marrë dhjetëra milionë euro nga Bankers, ka përfituar statusin e investitorit strategjik nga qeveria e Edi Ramës për ndërtimin e një resorti në Plazhin e Manastirit, brenda zonës së Mbrojtur të Parkut të Butrintit.

Fadromat u shfaqën shumë shpejt në një ngushticë toke që ndan Liqenin e Butrintit me Detin Jon, që shtrihet një gji detar dhe që ruan gjurmë të jashtëzakonshme të lulëzimit të jetës përgjatë antikitetit dhe mesjetës.
Investimi parashikohej 28 milionë euro, por harta e ndërtimit, e paraqitur nga Mirela Kumbaro si një ‘pikë e vockël’ në Parlament, sot është kthyer në një qytezë.
Krahas parave përmes Bankers, Idajet Ismailaj i Albstar ka marrë edhe 100 milionë euro tendera nga Ministria e Infrastrukturës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Ka dyshime të forta se disa ish ministra dhe ish drejtorë që kanë urdhëruar kopsitjen e letrave të tenderave për Albstar, kanë përfituar secila tek ‘pika e vockël’ e Kumbaros.
Dyfishimi i ‘pikës së vockël’
Me një vendim të beftë, në vitin 2021 Kumbaro dha shumë lehtë firmën që gjiri i Manastirit, në hyrje të zonës së Ksamilit, të hiqej nga zona e mbrojtur, ku më pas Këshilli Kombëtar i Territorit dha lejen për resort.
Projekti u kundërshtua me forcë në atë kohë, teksa vetë Kumbaro në një interpelancë në Kuvend tha se “projekti është një pikë e voçkël”.

Por, “pika e Kumbaros” sa vjen dhe zgjerohet dhe zmadhohet.
Por nga disa dokumente nga KKTU, të miratuara në vitin 2024, harta duket mjaft qartë se “pika” është shumëfishuar, çka ka sjellë që i gjithë ai investim në pronë publike të jetë shumë i diskutuar.


Sipas dokumenteve, në korrik të vitit të kaluar KKTU mori një vendim me numër 26. Objekti ishte “për miratimin e lejes për miratimin e rishikimit të kushteve të lejes gjatë ndërtimit për objektin ‘resort turistik 2, 3 dhe 4 kate mbi tokë dhe 1, 2, 3 kate nëntokë” me vendndodhje në Bashkinë Sarandë.

Mësohet se kërkesa ishte e subjektit zhvillues “Manastiri Resort” drejtuar Këshillit Kombëtar të Territorit.
Në fund, vendosi miratimin e rishikimit të kushteve të lejes, të miratuar më herët në muajin qershor 2021 të KKT.
Në pikën 2 është edhe harta e planvendosjes së strukturave të miratuar me vendimin me numër 9 të datës 10 qershor 2021 të KKT dhe zëvendësohet me hartën dhe planvendosjen e strukturave bashkëlidhur këtij vendimi.
Në një tjetër pikë thuhet se ngarkohet Agjencia e Zhvillimit të Territorit në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.


Redaksia jonë hulumtoi dokumentet shoqëruese të kësaj leje, ku duket ndryshimi drastik mes hartave të vitit 2021 dhe atyre të vitit 2024. Shikohet se projekti është zgjeruar disa herë, duke e bërë “pikën e vogël” të Kumbaros në një resort gjigant.
Në fotot e këtij vendimi shihet se resorti është ngjitur me rrugën dhe do të bëhen edhe ndërtime 4 katëshe. Madje, do të bëhen hotele dhe parkime të stërmëdha.
Por, ajo që shihet në gjithë këtë projekt është gatishmëria e Kumbaros për t’a miratuar dhe asnjë nga institucionet e tjera s’e ka marrë guximin për ta kundërshtuar.
Gjithashtu, kemi siguruar edhe fotot e projektit të ri, të miratuar në vitin 2024 dhe sapo të zbardhura nga KKTU. Gjithkush që ka kaluar drejt Ksamilit ka parë se “pika” e vogël e Kumbaros” gjithmonë rritej e zmadhohej, por asnjëherë nuk ishin zbardhur dokumentet.



Tashmë duket ndryshimi tepër i madh, ku kjo pika është bërë një qytet i stërmadh. Madje, i gjithi në zonë të mbrojtur dhe me firmën e vetë Kumbaros.
Zvogëlimi i Parkut
Në 26 Janar të vitit 2022, Këshilli i Ministave miratoi vendimin për të zvogëluar me rreth 800 hektarë Parkun e Butrintit. Në këtë hapësirë të shkëputur nga Parku përfshihet edhe territori ku u vendos të ndërtohej investimi strategjik “Manastiri Resort”.

Për zbatimin e këtij projekti, u krijua shoqëria “Manastiri Resort”, i përbërë nga bashkimi i “Finman” shpk, një kompani në pronësi të Sadik e Idajet Ismailaj dhe “Andi” shpk, në pronësi të Andi Gjiknurit.
Shoqëria “Manastiri Resort” u krijua me një marrëveshje që mban datën 16 nëntor 2021, pra vetëm dy javë para se Komiteti i Investimeve Strategjike të miratonte statusin e “investitorit strategjik” për këtë projekt.

Rreth një vit pas këtij bashkimi, kompania e Gjiknurit vendosë të largohet nga investimi, duke i shitur aksionet e saj tek “Finman”. Vlera e këtij transaksioni nuk është publikuar në kontratat e depozituara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB).
Ndërtimet e resorteve turistike apo zhvillimet ndërtimore masive në zonat bregdetare ishin paralajmëruar nga 25 organizata mjedisore dhe 4 profesorë të shkencave të natyrës që kur u rishikua harta e zonave të mbrojtura për disa parqe në janar të vitit 2022.

Përmes një reagimi të përbashkët organizatat më të mëdha mjedisore në vend dhe profesorët e shkencave të natyrës pohuan se “me rishikimin e kufijve të zonave të mbrojtura ‘fshihen’ zhvillime të paqëndrueshme, si urbanizim, aeroporte, sipërfaqe habitatesh të mbuluara nga parqe industriale”.
Mbi 100 milionë euro tendera
Me anë të kompanisë Alb Star, dyshja Ismailaj ka përfituar mbi 100 milionë euro tendera publikë, me hije të forta korrupsioni dhe klientelizmi. Mbi 60 milionë euro i kanë përfituar vetëm nga ARRSH dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku në disa raste kanë mashtruar me zbatimin e kontratave.
Përmes kompanisë Alb Star, Sadik e Idajet Ismailaj kanë marrë koncensionin e dyshimtë të transportit hekurudhor në linjat Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë si dhe disa hidrocentrale mbi lumin Shushicë (HEC Drashovicë, HEC Kote, HEC Gjorm dhe HEC Brataj). /Marrë nga "Prapaskena"







