Dëmet nga zjarret në vend/ Hoxha dhe Vengu: Qeveria do të ofrojë paketë mbështetëse në fushën e bujqësisë dhe banesave
Qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit.
Kështu u shprehën Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Delina Denaj si dhe kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako, gjatë takimit që zhvilluan për masat e marra dhe mobilizimin e strukturave përkatëse për menaxhimin e situatës së zjarreve në vend.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, bëri një bilanc të situatës së zjarreve në vend, duke theksuar se këtë vit janë regjistruar 59 vatra të mëdha dhe 961 zjarre të vogla, kryesisht në banesa dhe pyje.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha: Shumica e zjarreve janë të qëllimshme.
Ky ka qenë ndër vitet më të vështira sa i përket zjarreve. Deri sot, vendi ka pasur 59 zjarre të mëdha, 961 ishin zjarre të vogla, si prsh në banesa ose kullota. Përballë kësaj situate reagimi ynë ka qenë i menjëhershëm.
Mobilizimi i jashtëzakonshëm ka dhënë rezultate, ne nuk kemi humbje jete dhe është ndaluar përhapja e zjarrit në infrastrukturë kritike.
Por, 2 efektivë janë lënduar, në një akt heroik. Punonjësi i policisë Agim Troci, shef i komisariatit Delvinë është jashtë rrezikut për jetën, që u plagos, teksa ndërhyri në një zjarr në një banesë.
Sa i përket zjarreve, kemi të bëjmë më tepër me faktorin njerëzor, ndonjëherë ka zjarrvënës të qëllimshëm, por edhe zjarrvenie pa dashje. 120 persona janë proceduar në total për zjarrvenie dhe 21 janë arrestuar.
Kjo vepër penale, që lidhet me zjarrvënien e qëllimshme, duhet të ashpërsohet në dënim. Ata që rrezikojnë jetën e natyrën, do mbajnë përgjegjësi.
Parashikimet janë që edhe gushti do jetë i vështirë për ne, ndaj përgjegjësia është e madhe.
