Dyrmishi: Rivlerësimi i pronave, përfitim i trefishtë për pronarët, qytetarët dhe buxhetin e shtetit
E ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", vlerësuesja e pronave Sonila Baka Dyrmishi foli mbi rëndësinë e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, duke theksuar se kjo nismë sjell përfitime të shumanshme, nga lehtësimi i barrës fiskale për qytetarët, deri te rritja e të ardhurave për buxhetin e shtetit dhe zhvillimi i tregut të pasurive në vlerë reale.
" Të gjithë përfitojnë nga rivlerësimi. Nëse mund ta themi, në një mënyrë të trefishtë, përfitojnë pronarët, qytetarët, përfiton edhe buxheti i shtetit sepse sjellja e çmimit të pronës në vlerën reale të tregut, do t'i bëjë ata që të paguajnë tatim më të vogël, duke përfituar në këtë mënyrë buxheti i shtetit më shumë të ardhura dhe duke i dhënë atyre mundësinë të kryejnë transaksione me vlerat reale apo të marrin kreditime me vlerën reale të pronës sepse duhet thënë që ndryshimi i vlerave të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, por sidomos në Tiranë vitet e fundit ka pësuar një trend rritës marramendës dhe të gjithë, apo pjesa më e madhe kanë blerë në një vlerë më të ulët dhe aktualisht mund të shesin me një vlerë 2 fish ose 3-fish më të lartë.
Kështu që ulja e barrës fiskale do ti bënte ata të mos paguanin aq sa duhet të paguanin me 15% aktual.
Rivlerësimi është i nevojshëm jo vetëm për ata që kanë ndër mend ta shesin pronën, por edhe për ata që nuk kanë ndërmend të shesin pronën aktualisht, mund ta paraprijnë një tatim më të madh në të ardhmen duke e rivlerësuar në periudhën e fushatës së rivlerësimit që do të jetë 9-mujori i 2026", u shpreh Dyrmishi.
