Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzon ankimimin e Arbër Veliajt për kontrollet e SPAK-ut
Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar ankimimin e Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, i cili kundërshtonte kontrollet e SPAK që u kryen në dhjetor të 2024 në shtëpitë e tij dhe në ambientet e bizneseve.
Gjykata e Lartë, me një vendim të datës 25 Maj, pranoi rekursin e Arbër Veliaj dhe ktheu dosjen për rigjykim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm tek i njëjti trup gjykues.
Por, togat e zeza vendosën mospranimin e ankimit të vëllait të kryebashkiakut kundër vendimit të datës 20 Dhjetor 2024 të Gjykatës së Posaçme për ushtrimin e kontrolleve.
Kujtojmë se Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, po hetohen nga SPAK së bashku me 6 biznesmenë për vepra penale si korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.
Njoftimi i Apelit të GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 31.07.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 183, datë 25.07.2025 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim tek i njëjti trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 51, datë 28.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar – disponuar mbi ankimet e paraqitura nga ankuesit A.V. dhe shoqëria “G.” sh.p.k., ndaj vendimit nr. 730, datë 20.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
1. Mospranimin e ankimit të ankuesve A.V. dhe shoqëria “G.” sh.p.k., kundër vendimit nr. 730, datë 20.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
2. Ky vendim t’u njoftohet ankuesve dhe kundër tij lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë sipas ligjit;
3. Tiranë, më 31.07.2025.
