Problemet me bilancet, QKB: Nuk ka shtyrje, por do trajtohen rastet e evidentuara teknikisht

Sipas një kërkimi të Monitor, nga 200 kompanitë më të mëdha në vend, vetëm 35% e tyre rezultonin që kishin hedhur dorëzuar bilancet deri ditën e diel. Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga afati i fundit për dorëzimin e bilanceve, subjektet raportojnë se të mërkurën në mëngjes sistemi i E-albania, përmes të cilit bëhet aplikimi i pasqyrave në Qendrën Kombëtare të Biznesit kishte rënë tërësisht, ndërsa pas orës 10 ka rifilluar funksionin.

Duke filluar nga data 24 korrik, një javë para afatit final që është 31 korriku, ekonomistët raportuan se nuk po arrinin të dorëzonin bilancet. Që nga ajo kohë sistemi ka punuar me hope, ndërsa dhe kur punonte ka pasur probleme, pasi bizneset nuk arrinin të përfundonin procedurën, sepse nuk njihej formulari i nënshkruar.

Shoqata Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka kërkuar të merrej në konsideratë një shtyrje e afatit të dorëzimit, derisa platforma të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe me kapacitet të plotë.

Të pyetur nga Monitor burime nga Qendra Kombëtare e Biznesit thanë se “Ne nuk kemi realisht asnjë problem me shërbimin. Po trajtojmë shumë aplikime në ditë. Shtyrje nuk ka sepse janë kufizime ligjore por do të vlerësohet situata deri në fund edhe maksimumi mund të trajtohen rastet e evidentuara teknikisht. Gjithsesi kjo mbetet për tu parë”.

Edhe burimet nga E-Albania thanë që sistemi është në rregull dhe nuk është problemi tek ata. Teksa institucionet përgjegjëse bëjnë ping-pong me njëri tjetrin, kontabilistët dhe financierët rrezikojnë të gjobiten me 60 mijë lekë për çdo bilanc të dorëzuar me vonesë.

Sipas një kërkimi të Monitor, nga 200 kompanitë më të mëdha në vend, vetëm 35% e tyre rezultonin që kishin hedhur bilancet deri ditën e diel./Monitor