Pep Guardiola paralajmëron një pushim të pacaktuar pas aventurës me Manchester City-n
Pep Guardiola ka njoftuar se do të tërhiqet përkohësisht nga stoli pas përfundimit të kontratës së tij me Manchester City-n.
Në një intervistë për revistën GQ, trajneri katalanas ka deklaruar se ka marrë një vendim të qartë për të bërë një pauzë të pacaktuar në karrierën e tij.
“E di që pas kësaj etape do të ndalem, kjo është e sigurt.
Është vendosur, madje më shumë se kaq,” – tha Guardiola, i cili nuk dha një afat të saktë për rikthimin, duke lënë të hapur mundësinë për një pauzë njëvjeçare si ajo që mori pas largimit nga Barcelona, por edhe më të gjatë.
Trajneri u shpreh se ka nevojë për kohë për veten: “Do të largohem, sepse kam nevojë të ndalem dhe të përqendrohem te vetja, te trupi im.”
Guardiola kujtoi vendimin që mori edhe pas periudhës te Barcelona: “Pas Barcelonës thashë ‘Mjaft, kaq ishte.
Është koha për një sfidë të re.’” Ai nënvizoi se largimi nga City është një vendim i menduar mirë dhe jo i nxituar.
Për sa u përket kritikave që merr, Guardiola shprehet i qartë: “A ka njerëz që mezi presin që të dështosh?
Po, sigurisht. Dhe kjo më pëlqen. Më jep energji. Por kur fiton gjashtë Premier League, arrin një pikë ku ndodh një rënie.
Është normale, është njerëzore.”
Pep Guardiola ka kontratë me Manchester Cityn deri në vitin 2027, dhe duket se pas asaj date, do të largohet për të marrë frymë larg futbollit, të paktën për një kohë.
