PSG siguron Chevalier nga Lille, largimi i Donnarummas i sigurt

Paris Saint-Germain ka marrë një vendim të rëndësishëm për portën: do të ndahet me Gianluigi Donnarumma-n dhe ka mbyllur marrëveshjen për afrimin e Lucas Chevalier nga Lille.

Lajmi raportohet nga "Footmercato", që thekson se negociatat për rinovimin e kontratës me Donnarumma-n janë bllokuar plotësisht, duke e çuar drejtuesin sportiv Luis Campos të përshpejtojë lëvizjet në një tjetër drejtim.

Portieri 23-vjeçar, i konsideruar si një nga talentët më premtues në Francë, ka arritur marrëveshje pesëvjeçare me kampionët e Europës.

Sipas informacioneve të fundit, PSG dhe Lille kanë gjetur akordin për një transfertë me vlerë 40 milionë euro.

Chevalier, pas performancave shumë të mira me fanellën e Lille, do të marrë tashmë një rol delikat: të zëvendësojë Donnarumma-n, i cili pati një sezon pozitiv me PSG-në.

Portieri italian, po ashtu i vlerësuar me 40 milionë euro, është në qendër të interesit të disa klubeve të mëdha si Galatasaray, Chelsea, Manchester United dhe disa skuadra nga Arabia Saudite.

Me këtë lëvizje, PSG nis një faqe të re: i beson një profili të ri, vendas dhe me perspektivë afatgjatë.

Revolucioni i nisur nga Luis Campos po vazhdon, me theks të veçantë te identiteti francez dhe ndërtimi i një skuadre me bazë të qëndrueshme.