Conference League/ Vllaznia merr lajm të mirë: Mensah dhe Bismark udhëtojnë drejt Islandës

Vllaznia ka marrë një lajm të rëndësishëm në prag të ndeshjes kundër Vikingur.

“Shkodra Sport” raporton se dy lojtarët ganezë, Alfred Mensah dhe Charles Bismark, kanë siguruar më në fund vizat dhe do të udhëtojnë nesër bashkë me ekipin drejt Islandës, ku të enjten në mbrëmje do të zhvillohet ndeshja e kthimit e turit të dytë të “UEFA Europa Conference League” ndaj skuadrës vendase.

Prania e tyre në këtë takim ishte vënë seriozisht në pikëpyetje për shkak të vështirësive të shumta në sigurimin e vizave.

Megjithatë, situata u zgjidh falë ndërhyrjes së ministrit Taulant Balla, i cili është angazhuar maksimalisht ditët e fundit për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi.

Lajmi më i rëndësishëm është se Bismark dhe Mensah do të jenë në dispozicion të trajnerit Edi Martini për sfidën e së enjtes, ku Vllaznia do të kërkojë të shkruajë historinë duke u kualifikuar për herë të parë në turin e tretë të një kompeticioni europian.