“Camp Nou” i ri, Barcelona ka një kërkesë speciale për UEFA-n

Rikthimi i shumëpritur i Barcelonës në “Spotify Camp Nou” do të vonohet më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht. Për shkak të një vonese prej të paktën 10 muajsh në përfundimin e punimeve, klubi katalanas po shqyrton opsione alternative për të përballuar fillimin e sezonit të ardhshëm.

Sipas mediave spanjolle, Barcelona i ka kërkuar UEFA-s që ndeshjen e parë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve ta luajë në transfertë, me qëllimin për të fituar dy javë shtesë kohë në përfundimin e kantierit të stadiumit.

Edhe La Liga ka dalë në krah të klubit, duke hartuar një kalendar të përkohshëm ku tre ndeshjet e para të kampionatit do të zhvillohen jashtë fushe, përkatësisht ndaj Mallorca, Levante dhe Rayo Vallecano. Ndeshja e parë në shtëpi është planifikuar për mesin e shtatorit, kundër Valencias.

Megjithatë, rregulloret e UEFA-s janë më të rrepta – të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve në Champions League duhet të luhen në të njëjtin stadium. Kjo do të thotë se nëse “Camp Nou” nuk do të jetë gati për ndeshjen e dytë, Barça rrezikon të luajë të gjithë fazën në stadiumin alternativ “Montjuïc”, të paktën deri në shkurt. Një skenar që klubi dhe presidenti Joan Laporta duan me çdo kusht ta shmangin.