Juve, rreziku vjen nga United për Kolo-Muani, në listë edhe Vlahovic
Merkatoja e sulmuesve në Premier League ka marrë përmasa marramendëse dhe Manchester United është futur fuqishëm në garë për të siguruar një emër të madh në repartin ofensiv.
“Djajtë e Kuq” kanë hedhur sytë nga sulmuesi francez Randal Kolo-Muani, i cili pas huazimit gjashtëmujor te Juventusi ka rifituar formën dhe interesin e klubeve të mëdha.
Juventusi dëshiron ta rikthejë në Torino, por kërkesa e PSG-së është e qartë: nuk pranohet më një huazim i thjeshtë, vetëm shitje përfundimtare ose huazim me detyrim blerjeje.
Një kusht që United është në gjendje ta përmbushë dhe për momentin është favorit për shërbimet e sulmuesit 25-vjeçar, të cilin francezët e blenë për 90 milionë euro në verën e vitit 2023 nga Eintracht Frankfurt.
Sipas "Daily Mail", përveç Kolo-Muani, Manchester United ka përfshirë në listën e vet edhe emra të tjerë, si Benjamin Sesko, objektiv i Newcastle në rast shitjeje të Isak, si dhe Mateta (Crystal Palace), Ollie Watkins (Aston Villa) dhe Nicolas Jackson, që pritet të largohet nga Chelsea.
Në këtë listë figuron edhe Dusan Vlahovic. Sulmuesi serb është në vitin e fundit të kontratës me Juventusin dhe mund të përfaqësojë një rast interesant për anglezët. "Zonja e Vjetër" po shqyrton mundësitë për ta larguar lojtarin, nëse nuk arrihet rinovimi.
Gjithsesi, prioritet për Manchester United mbetet Kolo-Muani, dhe Juventusi rrezikon ta humbasë objektivin e vet kryesor për repartin e sulmit, duke u detyruar të orientohet drejt alternativave të tjera.
Në një treg gjithnjë e më të etur për gola, sfida për qendërsulmuesin ideal ka nisur me ritme të larta.
