Si nisi legjenda e Michael Schumacher në Formula 1: një taksist, një burgosje dhe një gënjeshtër

E pabesueshme, por e vërtetë: një pilot i Formulës 1 përfundon në burg dhe kjo i hap derën një prej emrave më të mëdhenj në historinë e këtij sporti: Michael Schumacher.

Historia që çoi në debutimin e tij në Çmimin e Madh të Belgjikës në Spa më 1991 është aq e çuditshme sa duket si trillim.

Në dhjetor të vitit 1990, piloti francez, Bertrand Gachot, ndodhej në Londër me të dashurën e tij. Pas një përplasjeje me një taksist që zbriti nga makina, Gachot vendosi të përdorte një spraj piperi që mbante partnerja e tij për vetëmbrojtje.

Në vend që të largohej, ai telefonoi policinë, por gaboi rëndë: spraji konsiderohej armë e paligjshme në Britani.

U arrestua dhe pak muaj më vonë, vetëm një javë para garës në Spa, u dënua me dy vite burg.

Papritur, një vend i lirë u hap te skuadra Jordan. Menaxheri i atëhershëm i një talenti të ri gjerman, Willi Weber, pa një mundësi të artë për të promovuar Michael Schumacher-in.

Ai kontaktoi kreun e ekipit, Eddie Jordan, i cili i kërkoi një informacion të rëndësishëm: "A ka garuar ndonjëherë në Spa?" Weber gënjeu: “Mbi 100 herë”, ndonëse Schumacher nuk kishte prekur kurrë atë pistë.

Për të garuar, u deshën 80.000 paundë dhe një test në Silverstone me makinën Jordan 191.

Aty, talenti i gjermanit shpërtheu. Çdo xhiro ishte më e shpejtë se e mëparshmja. Në kualifikime në Spa, debutoi me një vend të 7-të mbresëlënës. Një ‘yll’ kishte lindur dhe pjesa tjetër është histori.

Ndërkohë, Bertrand Gachot mësoi për zëvendësimin e tij përmes një gardiani burgu, që i tha: “Kanë marrë një gjerman. Nuk të duan më.”

Pas kësaj gare, Flavio Briatore dhe Willi Weber krijuan një manovër të zgjuar ligjore për ta larguar Schumacher-in nga Jordan dhe për ta transferuar te Benetton. Por kjo është një histori tjetër…