Sulmuesi i ri largohet nga Barcelona, firmos me Bragën për 12 milionë euro plus bonuse

Barcelona ka mbyllur transferimin e sulmuesit Pau Víctor te skuadra portugeze e Sporting Braga-s.

22-vjeçari spanjoll largohet nga “Camp Nou” pasi Braga ka paguar 12 milionë euro për kartonin e tij, me një mundësi për 3 milionë të tjerë në formë bonusesh.

Kontrata e tij me klubin portugez është e vlefshme deri në vitin 2030 dhe përfshin një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh.

Sipas komunikatës zyrtare të klubit portugez, Barcelona do të mbulojë edhe shpenzimet që lidhen me mekanizmin e solidaritetit, të cilat do të zbriten nga pagesa e përgjithshme.

Në deklaratën e vet, Barcelona falënderon Pau Víctor për kontributin e dhënë dhe i uron suksese në të ardhmen.

Ai zhvilloi 29 ndeshje me ekipin e parë gjatë sezonit 2024/25 nën drejtimin e Hansi Flick, ku shënoi 2 gola në La Liga dhe mori pjesë edhe në Champions League dhe Copa del Rey.

I rritur tek akademitë e Sant Cugat, Sabadell dhe më pas Girona, Pau Víctor shpërtheu në sezonin 2023/24 gjatë huazimit te Barcelona Atlètic, ku shënoi 18 gola dhe doli golashënuesi më i mirë i Primera Federación.

Këto paraqitje i hapën dyert për kalimin në ekipin e parë dhe përfundimisht për transferimin në Portugali.

Performanca e tij në miqësoret e verës, ku shënoi kundër Real Madridit dhe Manchester City-t, tregoi potencialin e tij, ndërsa tani do të kërkojë të bëjë hapin e radhës në karrierë në elitën e futbollit portugez.