Allegri dhe Modric ndezin entuziazmin: Milani mbledh 30 mijë abonentë për sezonin e ri

Pavarësisht një sezoni zhgënjyes të përfunduar në maj dhe një merkatoje që deri më tani ka sjellë pak lëvizje të mëdha, me përjashtim të Luka Modric, tifozët e Milanit vazhdojnë të qëndrojnë besnikë.

Klubi kuqezi ka konfirmuar se plot 30 mijë tifozë kanë rinovuar abonimet për sezonin 2025/2026.

Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, rreth 80% e këtyre tifozëve i përkasin një bërthame të qëndrueshme dhe besnike, që kanë ndjekur Milanin për të paktën pesë vite radhazi.

Një dashuri që nuk lëkundet, edhe kur rezultatet nuk janë në nivelin e pritshmërive.

Arritja e Massimiliano Allegrit në bankinë, një trajner me përvojë dhe i njohur për sukseset e tij, ka shërbyer si një shtysë për entuziazmin e publikut.

E njëjta gjë vlen për transferimin e Luka Modric, që pritet t’i bashkohet skuadrës në fillim të gushtit.

Madje, një nga momentet kulmore të fushatës së abonimeve u shënua pikërisht ditën kur u zyrtarizua kroati: mbi 1.500 abonime u regjistruan në atë ditë të vetme.

Tani pritet edhe më shumë. Pasditen e së premtes hapet shitja e lirë e abonimeve, duke u dhënë mundësi edhe tifozëve të rinj të sigurojnë vendin e tyre në ‘San Siro’ për një sezon që pritet të jetë ai i rilindjes.

Ambienti është optimist dhe klubi beson se me Allegri në stol dhe Modric në fushë, mund të ndërtohet një Milan konkurrues që do të rikthejë lavdinë e munguar.