E ardhmja e Donnarummas te PSG në pikëpyetje, pas pushimeve, rinovim ose lamtumirë
E ardhmja e Gianluigi Donnarumma-s te Paris Saint-Germain mbetet pezull.
Portieri italian, i cilësuar nga shumë si më i miri në botë pas një sezoni të jashtëzakonshëm, është në përfundim të kontratës së tij aktuale në vitin 2026, por rinovimi ende nuk ka marrë dritën jeshile, përkundër dëshirës së tij për të qëndruar në Paris.
Prej më shumë se një viti, palët kanë negociuar për një marrëveshje të re, por bisedimet nuk kanë sjellë përparim konkret.
Kjo situatë e pasigurt ka ngritur shqetësime brenda klubit francez, i cili nuk dëshiron të përjetojë një tjetër “çështje Mbappé”, me rrezikun që një nga ‘yjet’ kryesorë të largohet pa përfitime ekonomike.
Sipas raportimeve nga Franca, PSG ka ofruar një kontratë me kushte të ngjashme me ato ekzistuese, rreth 11-12 milionë euro neto në sezon, por me një pjesë të konsiderueshme të pagës të lidhur me paraqitjet në fushë.
Rreth 30% e të ardhurave të tij do të varen nga minutat e luajtura dhe aktivizimi i rregullt, gjë që nuk përputhet me statusin aktual të Donnarummas, i cili ka qenë vendimtar për klubin dhe kombëtaren italiane.
Tani gjithçka është shtyrë pas përfundimit të pushimeve verore.
Në kthim, Donnarumma dhe drejtuesit e PSG-së do të zhvillojnë një takim vendimtar: ose do të vijë rinovimi që i garanton qetësi dhe besim afatgjatë, ose marrëdhënia do të përfundojë menjëherë, me portierin që mund të largohet që këtë verë nga kryeqyteti francez.
Në horizont, tensioni rritet. Dhe çdo skenar është i mundur.
