Nafta djeg Shqipërinë apo Bankersin? Gradeci: Gjeneza e skandalit është marrëveshja e 2004-ës. Nga Arbitrazhi marrim vetëm 120 mln dollarë, ja pse
Një nga skandalet më serioze që ka goditur sektorin e energjisë në Shqipëri po del në dritë. Prokuroria e Fierit ka zbardhur një aferë të përmasave të mëdha ku rezultojnë të përfshirë dhjetra persona me profil të lartë – përfshirë zyrtarë shtetërorë, politikanë, drejtues institucionesh, biznesmenë, të cilët të gjithë dyshohen se kanë përfituar ose kanë qenë të lidhur me veprimtari korruptive në bashkëpunim me kompaninë Bankers Petroleum.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht se pas një vendimi të arbitrazhit ndërkombëtar, Bankers Petroleum i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro.
Për të kuptuar më shumë mbi përmasat e këtij skandali dhjetëra vjeçar, ish-drejtori i OST-së, Klodian Gradeci, i ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” të moderatores Beti Njuma në “Ora News” sqaroi raportet e auditimeve të zhvilluara ku në atë raport thuhet se shteti shqiptar duhej të merrte 250 milionë dollarë nga periudha 2008 -2011 dhe 195 milionë dollarë nga periudha 2012.
“Sipas marrëveshjes së hidrokarbureve përkatëse midis Albpetrolit dhe Bankersit, një nga detyrat e AKBN-së është auditimi i kostove të hidrokarbureve të cilat shërbejnë dhe që janë pjesë e investimit në sektorin e hidrokarbureve në marrëveshjen përkatëse në zonën përkatëse që ishte patos-Marinza.
Auditimet janë kryer që nga viti 2004, ku nuk jam në dijeni mbi sasinë e gjetur nga 2004-a deri në 2010-ën, por besoj se kanë qenë vlera minimale dhe gati janë njohur kostot hidrokarbure si kosto dhe të rikuperueshme nga kompania dhe nga nafta e disponueshme nga e cila nxirret.
Porsa i përket auditimit të 2011-ës dhe 2012 kanë qenë auditimet e para të thelluara dhe shumë profesionale.
Dhe auditi i parë ka gjetur vlerën 250 milionë dollarë, ndërkohë që ishin disa gjetje të auditimeve të vitit 2009 dhe 2010 dhe që ishin pjesë integrale e auditit të vitit 2011.
Dhe në vitin 2012 ka pasur një tjetër audit i cili gjeti si vlerë të parikuperueshme vlerën 195 milionë dollarë dhe në total është një vlerë përafërsisht 450 milionë dollarë, të cilat AKBN-ja i cilësoi si kosto të parikuperueshme në operacionet hidrokarbure.
Unë jam larguar nga AKBN-ja në vitin 2016 dhe në informacionet që kam unë, Albpetroli që është në marrëveshje me Bankersin ka kryer një audit në vitin 2013 dhe gjetjet ishin diku tek vlera 170 milionë dollarë.
Duke qenë se palët nuk gjetën dakordësi për çështjet që trajtonin çështja shkoi në Arbitrazh.
Sa i përket dëmit të Bankersit, duhet t’i referohemi deklaratës publike të kryeministrit i cili referoi se janë 800 milionë dollarë kosto të pretenduara në Arbitrazh dhe është një kosto ndërmë të panjohurat më parë në sektorin e hidrokarbureve dhe vendimi i Arbitrazhit flet për 240 milionë dollarë kosto të panjohura në operacionet hidrokarbure që Bankersi do duhet të zbatojë marrëveshjen hidrokarbure sipas përcaktimeve në marrëveshje.
Gjeneza e kësaj është që me firmosjen e marrëveshjes hidrokarbure. Marrëveshjet me ndarje prodhimi janë marrëveshje që janë përdorur në botë rreth viteve ’60-të dhe i gjithë sistemi i marrëveshjeve ka përparuar dhe avancuar në zbatim, ndërkohë këtu kemi një marrëveshje e cila nuk i përshtatej kohës dhe sot paguajmë kostot e saj.
Marrëveshja është rishikuar në disa raste, por në të ka qenë e përcaktuar se çdo ndërhyrje në sistemin financiar, tatime, taksa etj, kompanisë i lindte e drejta që marrëveshjen ta mitingonte këtë ndryshim në sistemin financiar i cili mund të ndodhte mba periudhës pas firmosje së marrëveshjes.
Thënë kjo, që vërtetë vlera e pretenduar nga shteti shqiptar është 800 milionë, por ajo e njohur me vendim gjykate është 240 milionë dollarë, shumë e cila po sipas marrëveshjes së hidrokarbureve do të hyjë tek pjesa e fitimit dhe do të duhet të ndahet 50 me 50. Pra, rezultati i Arbitrazhit është vetëm 120 milionë dollarë ”, u shpreh ndër të tjera ish-drejtori i OST-së, Klodian Gradeci
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”


