U mor i pandehur, SPAK do t’i komunikojë akuzat Veliajt në paraburgim
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka marrë të pandehur zyrtarisht sot kryebashkiakun Erion Veliaj.
Mësohet se SPAK do t'ia komunikojë akuzat kryebashkiakut në baraburgimin e Durrësit ku ndodhet që pas arrestimit të tij.
Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.
Një ditë më parë edhe biznesmeni Elman Abule u mor zyrtarisht i pandehur për pastrim parash.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi "detyrim paraqitje".
Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
