Situata e zjarreve deri në orën 14:00, Ministria e Mbrojtjes: Janë raportuar 13 zjarre, 9 vatra zjarri janë aktive!
Njoftimi:
Nga të dhënat e raportuara në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, deri në orën 14:00 janë raportuar 13 zjarre, nga të cilat 3 vatra janë shuar, 9 vatra zjarri janë aktive dhe 1 në monitorim.
Është bërë izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:
* Në fshatin Guras, njësia administrative Buçimas, bashkia Pogradec
* Në fshatin Lapardha, njësia administrative Otllak, bashkia Berat
* Në fshatin Buz Madh, njësia administrative Cakran, bashkia Fier
Aktualisht, janë aktive vatrat në: Qarku Dibër. Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër. Zjarri po zhvillohet në dy vatra të shkëputura nga njëra-tjetra, vatra poshtë Liqenit të Zi dhe mbi fshatin Gurë-Lurë.
Në fshatin Strikçan, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë. Është në monitorim zjarri në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe bar i thatë. Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Përroi i Zi” një sipërfaqe pyjore me pisha dhe ah. Ditën e sotme në terren janë angazhuar forcat operacionale dhe 30 efektivë nga FA. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit po operon 1 avion Canadair nga shteti Italian.
Qarku Vlorë Në Sotiran, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, ka vijuar puna e zjarrit të rënë më datë 06.07.2025. Zjarri është shumë intensiv. Digjen shkurre dhe fier poshtë pyllit me pishë. Flakët të ndihmuara nga era ditën e sotme përfshinë edhe kurorë të pishës duke e bërë problematike gjendjen. Ditën e sotme vazhdon operacioni me forcat operacionale, të ndihmuar me 30 forca ushtarake, 1 helikopter të FA-së dhe 2 avionë Canadair.
Qarku Elbasan. Në fshatin Shmil njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, në kufi me fshatin Gurakuq, njësia administrative Orenjë, bashkia Librazhd. Zjarri ka rënë në pyll gështenje dhe ka përmasa të konsiderueshme. Puna po vijon në një terren të vështirë.
Qarku Lezhë Në zonën e Shkopetit, njësia administrative Milot, ka vazhduar aktiv zjarri dhe është përhapur në territorin e bashkive Kurbin, Mat dhe Mirditë. Në operacionin për fikjen e zjarrit janë angazhuar forca ushtarake (26 efektivë, 4 mjete dhe 1 helikopter si dhe forca bashkiake nga MZSH Kurbin me 1 automjet zjarrfikës dhe 50 efektivë, gjithashtu MZSH Mirditë me 11 efektivë. Ndërhyrja ajrore ka shmangur përhapjen drejt banesave dhe bizneseve në Shkopet. Terreni është i vështirë dhe i paarritshëm për mjete. Situata po monitorohet nga autoritetet dhe strukturat përkatëse. Nuk ka rrezik për objektet e banimit.
Qarku Korçë Në fshatin Vernik, njësia administrative Qendër Bilisht, bashkia Devoll, zjarri vijon të jetë aktiv, por në drejtim të pikës kufitare Kapshticë zjarri u vu nën kontroll, po vijon puna në krahun e fshatit, pasi ndihmuar nga era zjarri po përhapet në bimësi. Në fshatin Dishnicë, njësia administrative Bulgarec, bashkia Korçë. Qarku Gjirokastër Në fshatin Kosinë, njësia administrative Qendër Piskovë, bashkia Përmet, vijon puna në terren të vështirë për shuarjen e zjarrit.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 21 automjete zjarrfikëse për momentin dhe 519 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së sotme marrin pjesë 190 forca nga FA me 19 mjete dhe 1 Helikopter, 2 avionë Canadair nga shteti Grek dhe 1 avionë Canadair nga shteti Italian.
