Garda i fut qenin anti eksploziv SPAK-ut, “Reksi” kontroll në makina dhe ambientet e jashtme për tritol (VIDEO)
Garda e Republikës, ka monitoruar me një qen nuhatës ambientet e jashtme të prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme. Kontrolli i ambienteve, automjeteve dhe hapësirave të tjera, thuhet se është një procedurë rutinë.
Por ky kontroll vjen në një periudhë kur SPAK ka shtuar masat e sigurisë, duke u rrethuar me efektivë të Gardës së Republikës.
Veç punonjësve të repartit policor “RESI”, prej dy vitesh prezentë në SPAK është dhe Garda e Republikës, e cila kontrollon thuajse çdo muaj territorin me qen anti-eksploziv.
Këto janë pamjet filmike të regjistruara mëngjesin e sotëm në SPAK, ku efektivë të gardës ushtrojnë kontrollin e ambienteve me qenin e specializuar për eksplozivë.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar se mjetet e prokurorëve, oficerëve të BKH-së, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë të SPAK, janë kontrolluar të gjitha mëngjesin e sotëm.
Ndërkohë mësohet se veç veprimeve siguruese që ndërmerr Garda e Republikës, për garantimin e sigurisë SPAK ka vendosur të shpenzojë një shumë prej 649 milion lekë të vjetra duke ia besuar kompanisë “AlbaScan” për të ndërtuar “ombrellën” e mbrojtjes.
Kompania “AlbaScan”, në dy lotet tenderuese të hapura në vitin 2024 nga SPAK, konkurroi përballë kompanive të tjera private “Alcomm Solutions” dhe “AESS” & “S2 Secure Albania”, të cilat u skualifikuan nga Komisioni i Ofertave pranë SPAK, me argumentin se ofertat e ulëta të paraqitura prej tyre, nuk përmbushnin kapacitetin ekonomik të kërkuar nga institucioni.
Tashmë “AlbaScan”, po jep asistencën e saj dhe në SPAK, ku është duke implementuar teknologjinë elektronike për sigurimin e godinës.
