VIDEO/ Ua shk*lte nga qafa varëset e floririt femrave në rrugë, kapet hajduti në Durrës

Kapet në Durrës grabitësi 29-vjeçar i femrave, i cili në të paktën 3 raste është pikasur duke vjedhur me dhunë varëset e floririt.

NJOFTIMI I POLICISË DURRËS

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Durrës, operacioni policor i koduar “July”. 

Iu mori me dhunë, varëset e floririt, 3 shtetaseve, në rrugë, gjatë natës, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 29-vjeçari, i dënuar më parë për vjedhje.   

Si rezultat i punës intensive të specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, u finalizua operacioni policor i koduar “July”, për zbardhjen e disa vjedhjeve me dhunë të kryera gjatë muajit korrik.  

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi H. Z., 29 vjeç, banues në fshatin Rrashbull, për veprën penale "Vjedhja me dhunë".               

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas:

-më datë 01.07.2025, i ka marrë me dhunë nga qafa, varësen e floririt, një shtetaseje 59 vjeçe; 

-më datë 14.07.2025, i ka marrë me dhunë nga qafa, varësen e floririt, një shtetaseje 25 vjeçe;  

-më datë 16.07.2025, i ka marrë me dhunë nga qafa, varësen e floririt, një shtetaseje 46 vjeçe. 

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.