GJKKO përgënjeshtron përplasjen me SPAK: S’ka konflikt për dosjen “Partizani”

Gjykata e Posaçme ka përgënjeshtruar raportimet mediatike për një konflikt institucional ndërmjet drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, dhe një prej gjyqtareve të GJKKO lidhur me dosjen “Partizani” për të cilën është marrë i pandehur kreu i PD, Sali Berisha.

Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat GJKKO thekson se, “nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale të sipërcituar” dhe se “kjo gjykatë funksionon si një organ gjyqësor tërësisht i pavarur dhe i paanshëm, në përputhje me parimet themelore kushtetuese dhe ligjore të shtetit të së drejtës”.

“Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës. Gjykata e Posaçme thekson se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale të sipërcituar, përfshirë Prokurorinë e Posaçme. Marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.

Kjo gjykatë funksionon si një organ gjyqësor tërësisht i pavarur dhe i paanshëm, në përputhje me parimet themelore kushtetuese dhe ligjore të shtetit të së drejtës. Pavarësia e gjyqtarëve është e sanksionuar në nenin 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në legjislacionin organik për sistemin e drejtësisë, përfshirë ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Gjyqtarët e kësaj gjykate gjykojnë mbi bazën e provave, duke interpretuar ligjin me paanësi, profesionalizëm dhe integritet të lartë, të udhëhequr vetëm nga bindja e tyre e brendshme dhe nga ligji, të lirë nga çdo ndikim i jashtëm apo trysni politike dhe mediatike. Theksojmë se çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në punën e gjykatës përbën jo vetëm cenim të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve, por edhe shkelje të rendit kushtetues dhe ligjor në vend:, thuhet mes të tjerash në njoftimin e GJKKO.