Kur ligjin nuk e bën shteti/ Softa: E bëjnë të fortët e rrugës dhe grupet kriminale në territore të mbikëqyrura
I ftuar në emisionin "Drejt" në "Ora News", eksperti i sigurisë Fatjon Softa analizoi ndikimin e grupeve të forta në funksionimin e shtetit ligjor, duke theksuar se në mungesë të stabilitetit institucional, shpesh ligjin e kanë bërë edhe grupet kriminale në territore të caktuara.
"Pyetja se "kush e bën ligjin" është e drejtë dhe kërkon një analizë sepse nëpërmjet një analize mund ti përgjigjemi kësaj pyetje. Kjo do të jetë një lloj radiografije e rrugëtimit politik por edhe të asaj që quhet tranzicion që nuk e di a ka përfunduar, por ne vazhdojmë të themi që jemi në tranzicion për aq kohë sa të gjitha ndryshimet ligjore, ndryshimet politike sigurisht që sjellin ndryshime dhe në jetën e përditshme.
Kur themi ndryshime në jetën e përditshme herë pas here ka disa tipe personash të cilët në atë formë që ju e bëtë pyetjen bënë të fortin.
Fillon që nga fuqia që merr në ekzekutiv kryeministri i vendit, fuqia që merr institucionet që janë në zbatim të ligjit dhe institucionet që janë të sigurisë kombëtare dhe pastaj vijmë tek të gjitha institucionet e tjera që kanë për detyrë stabilitetin e kësaj demokracie dhe të këtij sistemi të cilin ne kemi aspiruar dhe po aspirojmë të jemi anëtarë të Bashkimit Europian.
Herë pas here ligjin e kanë bërë edhe të fortët e rrugës, grupet kriminale, banda të ndryshme, të cilët në zona të caktuara kanë vendosur dhe zona kontrolli, sikurse kanë vendosur zona të cilat deri dikur ishin të padepërtueshme, zona të cilat ishin në mbikqyrje të sistemit të kamerave, në mbikqyrje të infrastrukturës, në mbikqyrje të kontrollit dhe të portave të elementëve të sigurisë", u shpreh Softa.
