BROJA DREJT GJERMANISË! Leipzing dhe Stuttgard bisedime me Chelsean

Dy ekipe gjermane tashmë kanë nisur bisedimet me chelsean për të pasur në formacion sulmuesin kuq e zi Armando Broja. Megjithatë gjithçka mbetet e hapur për negociatat edhe pse anglezët e kanë përjashtuar 23 vjeçarin nga ekipi i tyre

E ardhmja e Armando Brojës te Chelsea duket gjithnjë e më e paqartë, ndërsa sipas "The Athletic", dy klube të Bundesligës – RB Leipzig dhe Stuttgart – kanë shfaqur interes konkret për të nënshkruar me sulmuesin shqiptar gjatë merkatos së verës.

Broja në sezonin e shkuar luajti i huazuar te Everton duke u angazhuar vetëm 332 minuta në 10 ndeshje të Premier League dhe nuk shënoi asnjë gol. Everton, kishte një klauzolë blerjeje rreth 30 milionë paund nga chelsea, por pas përfundimit të kampionatit nuk pranoi të merrte të drejtën e kartonit dhe tashmë ka firmosur me Thierno Barry.

Chelsea ka shpenzuar mbi 97 milionë euro për të sjellë në sulm Joao Pedro dhe Liam Delap, çka e shtyn Brojën edhe më tej nga planet e trajnerit Enzo Maresca. Me kontratë të vlefshme deri në vitin 2028, klubi londinez duket se është i hapur për një transferim të përhershëm, ndonëse Stuttgart është më i prirur për një marrëveshje huazimi në këtë fazë.

Leipzig e sheh Brojën si pasues të mundshëm të Benjamin Sesko apo Xavi Simons, të cilët mund të largohen gjatë verës. Stili fizik dhe teknik i sulmuesit shqiptar përputhet me lojën dinamike dhe të shpejtë të skuadrës gjermane, duke e bërë një profil tërheqës për zhvillim afatgjatë.

Ndërkohë, Stuttgart, fituese e Kupës së Gjermanisë  dhe pjesëmarrëse në Europa League sezonin e ardhshëm, kërkon të forcojë repartin ofensiv dhe e sheh Brojën si alternativë për Deniz Undav dhe Ermedin Demirovic.

Megjithatë ende nuk ka të dhëna për ofertën edhe pse vlera e brojës sipas ekspertëve të futbollit tashmë ka shkuar mes 10 dhe 15 milionë euro.