Vangjel Mile emërohet trajner i “KF Tirana”
Vangjel Mile është trajneri i ri i “KF Tiranës”. Klubi njoftoi emërimin si trajner i parë i skuadrës për tre sezone.
Klubi bardheblu ka emëruar beratasin, i cili për një periudhë të gjatë kohe ka mbajtur postin e drejtorit teknik të akademisë së Tiranës.
39-vjeçari ka firmosur për 3 vite me kryeqytetasit, të cilët thonë se kjo zgjedhja ka ardhur për shkak të njohurisë që Mile ka ndaj klubit.
Mile vjen në këtë detyrë pas një periudhe të suksesshme si Drejtor Teknik i Akademisë së Futbollit Tirana, ku ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e talenteve të rinj dhe ndërtimin e një filozofie të qëndrueshme loje.
“Njohja e thellë me strukturat e klubit, filozofinë bardheblu dhe modelin e funksionimit të Akademisë i japin trajnerit Mile avantazhin për të ndërtuar një urë të natyrshme mes të rinjve dhe ekipit të parë. Objektivi i tij do të jetë jo vetëm rikthimi i skuadrës në krye të futbollit shqiptar, por edhe integrimi i elementëve të rinj me potencial, në përputhje me identitetin historik të KF Tiranës”, thekson klubi bardheblu në njoftim.
Mile është i njohur për qasjen e tij moderne ndaj stërvitjes, disiplinën taktike dhe aftësinë për të ndërtuar grupe të balancuara me frymë kolektive të fortë. Eksperienca e tij si strateg dhe drejtues teknik e bën zgjedhjen ideale për një projekt të qëndrueshëm dhe ambicioz.
“E ndjej veten pjesë të kësaj shtëpie dhe e marr këtë përgjegjësi me përulësi, por edhe me shumë besim”, deklaroi trajneri i ri gjatë prezantimit..
“Njoh vlerat dhe pritshmëritë e këtij klubi dhe jam i përkushtuar të punoj çdo ditë për të çuar përpara emrin dhe objektivat e KF Tiranës”, tha ai.

