Ishte i dehur dhe goditi me shpulla lojtarët e rinj të Romës, dënim model për Zaniolon

Mbyllet me një gjobë model çështja e bujshme e Nikolo Zaniolos dhe përplasjes së tij me futbollistët e rinj të Romës në ndeshjen e kampionatit të të rinjve.

Sulmuesi italian kishe shkuar të ndiqte ndeshjen mes Fiorentinës, me të cilën ishte nën kontratë, dhe Romës, ish-skuadrës së tij nga e cila ishte larguar jo pa polemika.

Pas ndeshjes u raportua se Zaniolo, dukshëm nën efektin e alkoolit, kishte kaluar një periudhë të gjatë kohe duke ofenduar lojtarët e rinj të Romës ndërsa pas ndeshjes, kishte hyrë në dhomat e zhveshjeve duke goditur me shpulla dy prej tyre.

Komisionet Disiplinore të Federatës Italiane, pas një hetimi që ka zgjatur më shumë se një muaj e gjysmë, kanë vendosur të dënojnë Zaniolon, i cili aktualisht nuk është më pjesë e Fiorentinës, por është kthyer te Gallatasaraj i cili zotëron kartonin e tij.

Futbollisti i cili shënoi golin e vetëm të finales së parë të Ligës së Konferencës, atë që u zhvillua në Tiranë, është ndëshkuar me një gjobë model prej 15 mijë eurosh nga Federata Italiane e Futbollit.