1 MILIARD PËR 10 VITE! Manchester City dhe “Puma”, pakti më i madh në Premier League

Manchester City ka firmosur me kompaninë Puma një marrëveshje bashkëpunimi me afat 10 vjecar me një vlerë rekord prej 1 miliard paundësh

Manchester City ka zgjatur partneritetin e saj me kompaninë gjermane Puma për të paktën edhe 10 vite të tjera, me një kontratë që besohet të ketë vlerën minimale prej 1 miliard paund, marrëveshja më e madhe në historinë e Premier League.

Klubi fillimisht kishte nënshkruar një kontratë prej 65 milionë paund në vit në vitin 2019, por tani është rënë dakord për një zgjatje deri të paktën në vitin 2035, me vlerë rekorde prej 100 milionë paund në vit.

Sipas klubit, në aspektin komercial, partneriteti me Puma ka sjellë rekorde shitjesh globale.

“U bashkuam me Puma me synimin për të sfiduar veten dhe për të tejkaluar pritshmëritë. Këtë e kemi arritur dhe më shumë në gjashtë sezonet e fundit” tha Shefi ekzekutiv i City Football Group.

Kjo marrëveshje tejkalon kontratën 90 milionë paund në vit të nënshkruar nga Manchester United me Adidas në vitin 2023.

Ndërkohë, kampionët e Liverpool-it do të vijojnë me të njëjtin prodhues, me një kontratë të raportuar prej 60 milionë paund në vit.

Që prej vitit 2019, City ka hyrë në një periudhë të pashembullt suksesi me katër tituj të Premier League dhe tripletën historike dy vite më parë, edhe pse sezoni i fundit përfundoi pa trofe të mëdha.