Mbrojtësi i Kombëtares huazohet në Zvicër
Adrian Bajrami do të vazhdojë karrierën e tij në kampionatin zviceran të futbollit, pasi i është bashkuar skuadrës së Luzernës në elitën e futbollit në këtë vend.
Qendërmbrojtësi shqiptar, është huazuar nga radhët e Benfikës, me të cilën kishte luajtur rregullisht në ekipin e dytë të saj në vitet e fundit.
“FC Luzern ka kënaqësinë të njoftojë nënshkrimin e Adrian Bajramit.
Mbrojtësi 23-vjeçar transferohet në Zvicrën Qendrore në huazim për një sezon nga Benfika e Lisbonës.
Adrian Bajrami luajti për Jang Bojs në karrierën e tij në akademi përpara se t’i bashkohej sistemit të të rinjve të Benfikës në vitin 2018.
Pas mbi 100 paraqitjeve për ekipin B të Benfikës dhe ekipin U23, lojtari me shtetësi të dyfishtë shqiptaro-zvicerane bëri gjashtë paraqitje me ekipin e parë sezonin e kaluar.
Bajrami ka luajtur tre herë për ekipin Kombëtar shqiptar. FC Luzern ka mundësinë për ta blerë atë përfundimisht atë nëpërmjet klauzolës”, shkruhej në njoftimin e klubit zviceran.
“Me Adrianin, po fitojmë një mbrojtës qendror të fortë, i cili mund të luajë edhe si mbrojtës i majtë. Ai gjithashtu ka cilësi të lindura lideri që do të ndihmojnë ekipin tonë të ri”, ishin fjalët e drejtorit sportiv Remo Majer për mbrojtësin.
