Alarm në Lituani për shkelje të hapësirës ajrore nga Bjellorusia, liderët politikë dërgohen në strehimore kundërajrore

Një incident i pazakontë ka ngritur në alarm autoritetet lituaneze të enjten, pas zbulimit të një objekti fluturues të paidentifikuar që ra në tokë afërsisht një kilometër nga kufiri me Bjellorusinë.

Si masë paraprake, kryeministri Gintautas Paluckas dhe kryetari i parlamentit Saulius Skvernelis u dërguan përkohësisht në strehimore kundërajrore, ndërsa situata u vendos nën hetim të menjëhershëm nga autoritetet ushtarake dhe të sigurisë.

Objekti u identifikua fillimisht në orën 11:30 të mëngjesit me orën lokale, dhe shqetësimet e para ishin se mund të bëhej fjalë për një dron të tipit Shahed të prodhuar në Iran, i përdorur nga Rusia në luftën kundër Ukrainës.

Kjo shkaktoi reagim të menjëhershëm të NATO-s, me avionët luftarakë të angazhuar në misionin e Policimit Ajror Baltik (BAP), të cilët ishin tashmë në ajër dhe iu përgjigjën incidentit.

Pas hetimeve të para, ushtria lituaneze konfirmoi se objekti ishte një dron i improvizuar pa pilot, i ndërtuar me materiale të thjeshta si kompensatë dhe shkumë, dhe nuk përbënte ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë.

Sipas Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare (VSAT), raste të tilla nuk janë të pazakonta, pasi janë dokumentuar më parë përpjekje për kontrabandë me cigare nga territori bjellorus në Lituani, përmes balonave ose dronëve të bërë në mënyrë artizanale.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, ndodhet aktualisht në një vizitë zyrtare në Irlandë dhe nuk ndodhej në vend në momentin e incidentit.

Megjithatë, autoritetet siguruan se situata është nën kontroll dhe se rreziku u eliminua pa pasoja. Incidenti ka rritur tensionet përgjatë kufirit lindor të NATO-s, në një kohë të ndjeshme për sigurinë rajonale.