I nxehti ekstrem përfshin dhe Kinën, mijëra studentë braktisin konviktet

Në Kinën lindore, një valë e të nxehtit ekstrem me temperatura mbi 40 gradë Celsius ka detyruar mijëra studentë të largohen nga konviktet .

Shumë prej tyre po flenë në biblioteka, korridore pallatesh apo madje edhe supermarket, vetëm për të pasur akses në ajër të kondicionuar.

Disa të tjerë kanë zgjedhur të qëndrojnë në hotele, pavarësisht kostove të larta.

Shumica e konvikteve në Kinë ende nuk janë të pajisura me ajër të kondicionuar, dhe dhomat zakonisht strehojnë nga katër deri në tetë persona, duke e bërë jetesën të vështirë gjatë valës së nxehtit.

Situata u përkeqësua edhe më shumë pas raportimit të vdekjes së një roje konvikti për shkak të temperaturave të larta.

Në qytetin Changchun, studentët po zgjidhin mënyra kreative për të përballuar vapën, si vendosja e kubave të akullit para ventilatorëve për të krijuar një “kondicioner shtëpiak”.

Ndërkohë, në province të ndryshme, restorantet me ajër të kondicionuar janë bërë strehë për të moshuarit që nuk kanë mundësi të përballojnë temperaturat e larta në shtëpi.

Kjo valë e nxehti vjen në një kohë kur Kina po përballet edhe me fenomene të tjera ekstreme klimatike, përfshirë tajfune dhe përmbytje të rënda që kanë goditur pjesë të ndryshme të vendit dhe kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha materiale.

Në vitin 2022, valët e të nxehtit shkaktuan 50,000 vdekje në vend, ndërsa temperatura rekord prej 52.5 gradë Celsius u regjistrua në rajonin Xinjiang në vitin 2023.